Kuçi: Rreth 56 për qind e bizneseve në rrezik të mbylljes

Prishtinë | 16 Kor 2020 | 21:52 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka thënë se bazuar në disa të dhëna, rreth 56 për qind e bizneseve do të mund të mbylleshin shkaku i pandemisë, teksa ka dhënë hollësi të programit të rimëkëmbjes ekonomike të Qeverisë Hoti. Si ka thënë ai, nëse s’ndodh ndonjë e panjohur, në fund të 2021-tës, Kosova do të ketë rritje ekonomike.

“Qeveria Hoti e ka programin e rimëkëmbjes ekonomike që ka 9 masa dhe brenda tyre ka veprime të parapara se çfarë duhet të ndërmerret si qeveri për t’i ndihmuar ekonomisë. Dihet që kemi rënie ekonomike dhe bazuar mbi hulumtimet e majit, del se shkaku i pandemisë, 56 për qind e ndërmarrjeve do të mund të mbylleshin”, ka thënë ai në DESKU të KTV-së.

Bazuar mbi po këtë hulumtim, rreth 49 për qind e familjeve pësuan rënie të të ardhurave shkaku i pandemisë derisa 44 për qind deklaruan se të ardhurat e tyre s’kanë ndryshuar.

“Duke i pasur parasysh këto elemente dhe gjendjen, duhet të veprojmë konform dy masave që kemi: si ta ruajmë shëndetin e qytetarëve, por edhe shëndetin ekonomik. Rrjedhimisht, qeveria ka ndërmarrë disa veprime të njohura. Në qeveri është votuar një projektligj që ka të bëjë me menaxhimin e kësaj situate dhe ai do të shkojë në Kuvend. Shpresoj që deputetët ta kenë parasysh urgjencën e miratimit të këtij ligji, sepse pa të s’mund të shkojmë përpara me planin e rimëkëmbjes ekonomike”, ka thënë ai.

Të ngjashme