Kuçi: Vendimin rreth Telekomit e pritëm, por jo në situatë pandemie

Prishtinë | 16 Kor 2020 | 20:28 | Nga Ekonomia Online

Për Ministrin e Ekonomisë, Blerim Kuçi, vendimi rreth Telekomit ka qenë i pritshëm, por ai ka mbetur i habitur me periudhën kohore kur është bërë një gjë e tillë.

Në DESKU të KTV-së, ai e ka përshkruar rrjedhën e ngjarjeve që kulmoi me bllokimin e llogarive të Telekomit, shkaku i një borxhi afër 27-milionë eurosh. Më 15 korrik, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka njohur të drejtën Dardafon.net/Z mobile për përmbarimin e borxhit që Telekomi i ka kësaj kompanie, sipas vendimit të Arbitrazhit.

“Kjo daton prej datës 09.12.2016, kur Dardafoni mori vendim final nga Arbitrazhi në favor të tij. Pastaj nisen proceset ankimore, kemi pasur disa marrëveshje mes Telekomit dhe Dardafonit. Tash është edhe vendimi final. Kjo daton prej asaj kohe dhe dje është marrë vendimi final. Është proces i gjatë. E kemi pritur, por jo tani në këtë situatë emergjente dhe me COVID. Duke e pasur parasysh edhe ligjin për çështjet e përmbarimit, kemi menduar që ky proces së paku në këtë fazë s’do të jetë përfundimtar”, ka thënë ai.

Ai e ka quajtur të rëndë gjendjen me Telekomin.

“Telekomi kryen shumë shërbime vitale për qytetarët e Kosovës, por edhe institucionet e rëndësishme shtetërore”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se çfarë është biseduar në takimet që ka mbajtur të enjten.

“Kemi pasur takim me bordet… kemi pasur takim edhe me Dardafonë. Kërkuam mirëkuptim për të bërë zhbllokimin, ende se kemi marrë përgjigjen e tyre. Telekomi është ankuar, e ka kërkuar shtyrjen e borxhit”, ka thënë ai, duke shtuar se borxhi është vendim i Gjykatës që s’mund të kontestohet.

Të ngjashme