Kurti: Çmimet po rriten, kursimi në këtë kohë krize është patriotizëm

Prishtinë | 28 Gus 2022 | 11:35 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Kosova është ndër vendet me shifrat më të ulëta të inflacionit, krahasuar me vendet e zhvilluara evropiane. Ai tha të dielën se çmimet në Kosovë po vazhdojnë të rriten, por që kursimi është mënyra më e mirë për tejkalim të krizës.

“Me inflacionin jemi ndër vendet me shifrat më të ulëta, krahasuar me vendet e zhvilluara evropiane, sa i përket mbështetjes ekonomike që po i japim sektorit të energjisë, sipas ‘Financial Times’, Kosova është vendi i katërt në Evropë. Kjo mbështje është në disa forma”, tha Kurti të dielën, në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Kurtit, qytetarët nuk duhet të jenë pesimistë, por të kenë realizëm ekonomik, e të kursejnë pasi në kohë krize, sipas Kurtit, kursimi është patriotizëm.

“Çmimet po rriten, është mirë të kursejmë. Pra jo pesimizëm, por realizëm ekonomik. Kursimi në këtë kohë krize është patriotizëm. Ata që thonë mos kurseni duan t’iu vjedhin”, tha Kurti.

Nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj, ministrat në Qeverinë e Kosovës nuk janë shefa, por udhëheqës. Modestia është cilësia që na duhet ,e shoqëruar me vendosmëri që e kemi pasur. Ministrat e dinë që do të kenë ndryshime. Do të merren për bazë rezultatet e punës.

Ai deklaroi se pandemia e COVID-19, post-pandemia, lufta në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë, tensionet mes Kinës e Tajvanit si dhe kriza klimatike në botë, ka ndikuar në rritjen e krizës ekonomike.

“Jemi ekonomi e vogël, por jemi mësuar me vështirësi. Do t’ia dalim duke ndihmuar njëri-tjetrin. Qeveria do të angazhohet për të zbutur dhimbjen ekonomike që do të ndjejë pjesën më të ndjeshme të shoqërisë. Do të ketë vazhdimisht qasje zhvillimore për të ofruar investime të huaja direkte. Në aspektin gjeopolitik e gjeoekonomik, do të jemi me kahje atlantiste e europianiste. Korrupsioni te ne nuk ka vend. Aktorët që tentojnë ta shfrytëzojnë krizën, do të hasin në vështirësi. Do të afrohemi ekonomikisht me Shqipërinë. Politikat tona social nuk maten nga tekat e askujt. Pakoja e ringjalljes ka arritur në 7 për qind të brutoproduktit vendor. Jemi Qeveria që ka ndërmarrë më së shumti politika sociale, më shumë se secila qeveri tjetër”, tha ai.

Të ngjashme