Kurti në Prizren prezanton Buxhetin e vitit 2023 – Mbi 92 milionë euro për këtë Komunë

Prizren | 22 Nën 2022 | 16:02 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar me disa nga ministrat e tij, të martën ka qëndruar në Prizren, me ç’rast kanë shpalosur Buxhetin për vitin 2023 para qytetarëve të kësaj Komune, raporton Ekonomia Online.

Nga aty, shefi i ekzekutivit tha se Buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë më i larti ndonjëherë në Kosovë, teksa përmendi edhe rritjen shumave që kanë ndarë për dikastere të ndryshme.

Para prizrenasve, Kurti tha se Buxheti i paraparë për këtë Komunë është 92.5 milionë euro.

“Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 211 milionë euro, ku të hyrat do të jenë mbi 2 miliardë. Ky buxhet do të jetë më i larti në historinë tonë. Për Prizrenin, buxheti do të jetë mbi 92.5 milionë euro”, tha Kurti.

Kurti tha se në këtë buxhet janë paraparë ndërtimi i disa çerdheve, objekteve shkollore dhe riparimi i rrugës Prizren-Prevallë.

“Për shpenzime kapitale kemi ndarë mbi 32 milionë euro. 296 milionë euro kemi ndarë për Shëndetësi, ku 60 milionë euro janë për blerjen e barnave esenciale. Rritjen e buxhetit në infrastrukturë e kemi shoqëruar me rritjen e stafit mjekësor ku kemi shtuar 400 pozita. Kemi vazhduar linjën buxhetore për ndërtimin e çerdheve. Janë ndarë mjete për ndërtimin e objekteve shkollore në Prizren. Në kohën kur çmimet po rriten për vitin 2023, rritja e buxhetit ka arritur 87 milionë euro për bujqësi. Kemi shtuar 300 pozita të reja për policinë. Gjashtë milionë euro kemi ndarë për riaprimin e rrugës Prizren-Prevallë”, tha tutje Kurti.

E ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se në buxhetin e vitit të ardhshëm është paraparë edhe Ligji i Pagave. Ai ka thënë se janë 1 miliard euro të hyra më shumë me qeverinë Kurti se sa qeveritë e kaluara që ishin në krye të vendit.

“Para qeverisë sonë të hyrat për një vit ishin 1.8 miliard euro, ndërsa për këtë vit ne kemi planifikuar të kemi të hyra 2.8 miliardë euro, 1 miliard më shumë. Një prej kategorive me rritjen më të madhe tek të hyrat është tatimi në korporata, tatimi në të hyrat e korporatave, paguajnë më shumë tatim tani”, ka deklaruar Murati.

Të ngjashme