Kurti: Në Telekom nuk u lejuan investime, falimentimi erdhi shkaku i krimit dhe korrupsioni

Prishtinë | 07 Qer 2018 | 13:16 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se në Telekom nuk u lejua investimet dhe se bordi asnjherw nuk u orientua në përmirësimin e performancës, por në dhënien llogari partive apo grupeve të interesit.

Kurti në tryezën e organizuar nga partia e tij me temën “Telekomi i Kosovës – gjendja, shkaqet, zgjidhja”, shtoi se korrupsioni e krimi nuk janë ndalur në Telekom, raporton Ekonomia Online.

“PTK me Trepçën dhe KEK-un shënojnë historinë e vendit tonë dhe shansin për zhvillim në të ardhmen. Fatkeqësisht bordet e ndërmarrjeve publike janë të orientuara jo në përmirësimin e performancës, sa për llogaritë e partive apo grupeve të interesit”.

“Në Telekom nuk janë lejuar investimet për të ngritur performancën dhe për ta zhvilluar atë por vazhdimisht janë ngritur çështja qe e kanë kërcënuar Telekomin në treg, prej tenderëve të ngritur nga Z-Mobile,  korrupsioni e krimi nuk janë ndalur në Telekomin e Kosovës”.

Profesor, Ismet Hamiti, tha se nuk ka asnjë shembull në botë që të falimentojnë kompanitë e telekomunikimit.

Sipas tij, falimentimi i Telekomit ka ardhur ngase kjo kompani është plaçkitur vazhdimisht, raporton EO.

“Kompanitë e telekomunikimit janë fitimprurëse, në botë nuk ka kompani të telekomunikimit që ka falimentuar, por kjo ndodhi me Telekomin, pasi që nuk mund t’i mbulojë as shpenzimet e veta rrjedhëse, sepse të hyrat e Telekomit plaçkiten-vidhen”.

“Përmes një mekanizmi të tillë si Z-Mobile sot Telekomit i plaçkiten së paku 30% të të hyrave të saj, kjo është gjendja momentale, por kjo nuk është pasoja kryesore. Ky krim nuk ka vetëm dimensionin e plaçkitjes po edhe dimensionin e rrënimit të demokracisë. Në Telekom janë bërë shumë keqpërdorime, nuk mund t’i numërojmë deri nesër aq shumë që ka”.

“Zgjedhja është ndërprerja e plaçkitjes, prokuroria e ka në dorë t’i jep fund plaçkitjes së Telekomit ta kryejë punën vetëm për atë që paguhet, të hetojë kontratën nga origjina nga shpallja”.

Profesor Salem Lepaja, ka ofruar zgjidhje se si mund të dilet nga kjo situatë duke kërkuar qasje profesionale dhe të ndërgjegjshme.

“Ka zgjidhje por duhet qasje profesionale dhe të ndërgjegjshme. Duhet të merren këto masa për të zgjidhur këtë problem: Prokuroria e shtetit të përfundojë menjëherë kontratën jo ligjore mes Telekom-Z-mobile; Të formohet grupi për menaxhimin e krizës i përbërë nga profesionistët të telekomunikacionit dhe ekonomistë që ta nxjerrin Telekomin nga kriza në afat 2 vjeçar; Grupi i menaxhimit të krizës duhet ti ketë autorizimet e plota për vlerësimet për kthimin e Telekomit në gjendje normale; Ky grup duhet ta bëjë ristrukturimin e brendshëm të Telekomit dhe puna e grupit për menaxhimin e krizës t’i nënshtrohet mbikëqyrjes së ndërgjegjshme publike,  përfshirë raportimin periodik në parlamentin e Kosovës”.

Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Tali ka theksuar se kriza në Telekomin e Kosovës ishte e planifikuar nga politika.

“Kriza në Telekom ishte e planifikuar nga politika dhe e ekzekutuar ashtu siç ata kanë dashur”, ka thënë Tali.

“Kjo ndërmarrje që operon me brendin Z-mobile kjo fare nuk ka konkurruar në tenderin për operatorë. Tenderin e ka fituar një operator nga Peja, ndërsa operon një operator nga Fushë Kosova”.

Të ngjashme