Kurti thotë se korrupsioni po pengon investimet: S’do të ketë dosje të pluhurosura në gjykata

Prishtinë | 14 Dhj 2021 | 11:06 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) ka publikuar dokumentin “White Book”, me rekomandime nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri Albin Kurti, i cili mori pjesë në këtë ngjarje, tha se pengesa më e madhe për tërheqjen e investimeve është korrupsioni në prokurimin publik.

Ai me këtë rast u zotua për angazhim konkret në mënyrë që mos të ketë dosje të pluhurosura nëpër gjykata, por trajtim të duhur e në kohë.

“Pengesa më e madhe për tërheqjen e investimeve është korrupsioni në prokurimin publik. Rritja e investimeve do të ishte mënyrë efektive për ta transformuar ekonominë tonë. Një sektor që ka pasur rritje është ai i shërbimeve të teknologjisë. Nga vlerësimet në këtë libër shihet se Qeveria ka trashëguar qeverisje jo të mirë”.

“Vlerësimi për 63% është se nuk ka progres. Andaj kemi shumë punë për të bërë. Por mund të themi se ka shpresë për të përmirësuar mjedisin e biznesit. 9.9% rritje ekonomike ka paralajmëruar Banka Qendrore për këtë vit. Njerëzit paguajnë më shumë taksa kur e dinë se Qeveria nuk keqpërdor. E kemi dhe gjykatën komerciale që angazhohet që të mos kemi dosje të pluhurosura, por do të trajtohen me drejtësi”.

“Pra do ta kemi dhe më tej ekonominë e tregut. Por duhet të kalojmë te kryefjala investim. Tash kemi nevojë për investime që rrisin punësimin. Ne po punojmë për parandalimin e korrupsionit. Tani jemi në proces të draftimit të Ligjit të prokurimit publik. Jemi shtet me resurse të kufizuara. Shpresojmë për dialog të mirëfilltë publiko-privat”.

Emrush Ujkani, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve tha se sundimi i ligjit mbetet sfidë për institucionet dhe se ndryshimet ligjore janë mëse të nevojshme.

“Kemi aprovimin e Ligjit për sektorin bankar dhe ky është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm që ne si Këshill kemi bërë gjatë kësaj periudhe Ligji edhe për konkurrencë. 7 parimet bazë të Librit të Bardhë janëë përmasimi i të bërit biznes, sundimi i ligjit që ka shqetësuar çdo individ edhe te sektori privat, fuqizimin e sundimit të ligjit, identifikimin e barrierave, zvogëlimi i riskut”.

“Prandaj Libri i Bardhë e ka qëllimin t’i eliminojë këto barriera. Reformat në sistemin tatimor është shumë e rëndësishme dhe na gëzon fakti që ka progres gjatë këtij viti”.

Afrore Rudi, anëtare e Bordit të Këshillit, tha se qëllim duhet të jetë që Kosova të bëhet vend atraktiv për tërheqjn e investimeve dhe për këtë janë duke e nidhmuar Qeverinë, raporton EO.

“… qëllimi është të bëjë Kosovën tërheqëse për biznese të reja. Anëtarët e këtij Këshilli janë të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës. Dëshirojmë të përkrahim Qeverinë që të krijojmë mjedis për tërheqjen e investimeve të huaja direkte”.

“Në 10 vjetët e fundit ka pasur përparim por ende ka punë për të bërë që ta bëjmë Kosovën ndër vendet më të mira në rajon duke tërhequr biznese të reja”.

Anna Carin Platon, shefe e Politikës, Ekonomisë dhe pjesë e Seksionit për Integrim Evropian në Zyrën e BE-së tha se Këshilli i Investitorëve është bërë adresë kryesore për investitorë të ardhshëm në Kosovë, raporton EO.

“Më e rëndësishmja është që ky publikim shërben për Qeverinë në pengesat që hasin investohet gjatë të bërit biznes në Kosovë. Qeveria duhet t’i shtyjë reformat e nevojshme ekonomike. BE-ja është investitori më i madh dhe tregtar në Kosovë. Në anën tjetër Kosova përkrahë investitorë të vet për ringjallje ekonomike. Po punojmë me Qeverinë në planin e veprimit për Kosovën”.

“Besojmë që zhvillimi i sektorit privat është çështje e rëndësishme. Përderisa sektori privat mund të krijojë pasuri Qeveria duhet të ofrojë siguri ligjore”.

Anita Kovaçiq, nga Raiffesen Bank tha se bankat mbetet partner në zhvillim të qëndrueshëm.

“Kemi ruajtura likuiditetin në treg. Bankimi të shihet si partnerë. Jo vetëm për të ardhmen, por edhe për këtë temë që mirëpresim që do t’iu përkrahë. Kemi probleme me mjedisin legjislativ qoftë me themelimin e gjykatës komerciale”.

“Një instancë të ankesave që të ketë koordinim më të mirë kur zbatohet ligji. Sektori bankar do të jetë i përafërt me IPA. Ndryshimet do të jenë zgjidhjet për bankat”.

Genond Mesareja, nga kompania e sigurimeve “Sigma”, tha se problematike mbetet numri i madh i lëndëve nëpër gjykata.

Problme tjetër ajo ka përmendur edhe numrin e madh të automjeteve të paregjistruara, prej 60  mijë sosh si dhe niveli i lartë i korrupsionit në vend, raporton EO

“Është problem sistematik në Kosovë dhe ka shëprputhje të lartë ndërmjet sasisë së ankesave si dhe me gjykata. Gjykatat nuk po i njohin këto rregullore. Kjo i vendos kompanitë e sigurimit në situata të paparashikueshme”.

“Zgjidhja është unifikimi i standardeve që do të thotë se duhet të sjellim ndryshime në Kosovë. Një problem tjetër është numri i lartë i 60 mijë automjeteve të paregjistruar dhe pasiguruara në Kosovë. Një problem tjetër është çështja e korrupsionit”.

Luljeta Tinjiq, nga sektori i farmaceutikës përmendi një varg problemesh duke filluar nga mungesa e sigurimeve shëndetësore, Ligjin e prokurimit e barnat fallco në treg.

“Në Kosovë kemi barna fallce. Kjo është arsyeja e parë që kompanitë po largohen nga Kosova. Nuk kemi fond të sigurimeve shëndetësore. Kemi probleme me Ligjin e prokurimit”.

“Megjithatë jemi të përkushtuar ta ndryshojmë situatën këtu sepse pacientet meritojnë trajtim me të mirë shëndetësor”.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Platon, Zëvendës Shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë,

I nderuari z. Taylor, Drejtor i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë,

I nderuari zëvendësambasdor i Republikës Federale Gjermane, z. Voss,

Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik,

E nderuara përfaqësuese e Bordit, znj. Afrore Rudi,

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Investitorëve Evropianë,

Të nderuar të pranishëm,

Falënderoj Këshillin e Investitorëve Evropianë në Kosovë për ftesën për t’ju bashkuar në këtë ngjarje me rastin e publikimit të dokumentit “White Book 2021”, ku adresohen një numër sfidash dhe jepen rekomandime për përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Kosovë.

Si qeveri, tani pothuajse 9-muajshe, jemi të vetëdijshëm çfarë kemi trashëguar nga këto 20 vitet e fundit qeverisëse: investime të huaja direkte dhe eksport për kokë banori më të ulëta në rajonin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për ta cituar “Klimën e Investimeve për Kosovë” të Departamentit të Shtetit Amerikan në vitin 2020: “Pengesa më e madhe në Kosovë për tërheqjen e investimeve është korrupsioni i përhapur në prokurimin publik.”

Për kontekstin e Kosovës, që ka një bazë relativisht të vogël prodhimi dhe një ekonomi të bazuar kryesisht në importe, rritja e investimeve të huaja do të ishte një mënyrë efektive për ta transformuar ekonominë tonë. Nëpërmjet FDI ne mund të krijojmë më shpejt dhe më shumë vende pune.  Pra,  investimet e huaja direkte na ofrojnë qasje më të shpejtë në zinxhirët e vlerës rajonale dhe globale, e mbështesin rritjen e eksportit, e rrisin produktivitetin përmes transferit të njohurive (‘know-how’) dhe të teknologjisë, dhe janë mënyra më e mirë për ta rritur konkurrencën e sektorit tonë privat.

Kosova ka pranuar flukse shumë të kufizuara të FDI në këto vitet e fundit. Flukset hyrëse të FDI, veçanërisht investimet e ashtuquajtura ‘Greenfield,’ të cilat priren të kenë ndikimin më të madh në punësim, kanë qenë vazhdimisht më të ulëta se sa në vendet tona fqinje të Ballkanit Perëndimor.

Si rezultat i mungesës së politikave, mekanizmave përkrahës, dhe incentivave fiskale e financiare për tërheqjen e investimeve të huaja direkte prej shpalljes së pavarësisë e këtej, kemi një stagnim në diversifikim të portfolios së FDI. 84% të FDI në vitin 2020 përbëheshin nga “patundshmëritë”, dhe “financat e sigurimet”, respektivisht 201.1 mil euro apo 59% të totalit, 342.4 mil euro kanë qenë blerje e patundshmërive (apartamente, lokale), dhe 85.1 mil apo 25% — ”financa dhe sigurime”.

Një sektor që ka pasë rritje edhe në 2020, përkundër pandemisë COVID-19, është ai i shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve (‘ICT’), nga 56 mil euro në vitin 2018, në 67 mil në vitin 2019, dhe në 72 mil në vitin 2020.

Nga vlerësimet e paraqitura në këtë ‘libër’ shihet qartë se si Qeveria jonë ka trashëguar një qeverisje jo të mirë. Nga shtatë (7) fushat e vlerësuara: Telekomunikimet, Bankimi, Sigurimi, Minierat, Nafta, Farmaceutika dhe Tatimet,  vlerësimi mesatar i përgjithshëm për 63% është se nuk ka progres, me ca progres 22%, dhe vetëm 15% me progres të konsiderueshëm. Andaj, kemi shumë punë për të bërë, e shumë sfida përpara.  

Por, tani mund të themi se ka shpresë. Si Qeveri e re jemi në proces të shumë reformave për të përmirësuar dukshëm mjedisin e biznesit. Reduktimi i zbrazëtirave të infrastrukturës dhe kapitalit njerëzor, rinia jonë, kostoja konkurruese e punës, normat e ulëta të taksave, nivelet e larta të qasjes në internet, pozita qendrore gjeografike në mes të Evropës perëndimore, Lindjes së afërt dhe Afrikës veriore, dhe lehtësia e të bërit biznes, përfaqësojnë pikat kryesore të forta përmes të cilave ne besojmë se mund të bëhemi shtet lider në rajon për tërheqjen e FDI.

Le të mos harrojmë që Banka Qendrore e Kosovës për këtë vit ka paralajmëruar rritje ekonomike në Kosovë prej 9.9 për qind, eksportet janë shtuar për 2/3 krahasuar me vitin e kaluar, të hyrat tatimore janë rritur për 1/3, dhe investimet e huaja po ashtu janë rritur për 1/3, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti krahasuar me gjashtë mujorin e parë të vitit të kaluar. Njerëzit paguajnë më shumë taksa kur e din që Qeveria nuk keqpërdor, njerëzit paguajnë më shumë taksa kur kanë shpresë që ditët e ardhme do të jenë më të mira se sa ato që i kanë sot, pra, preferojnë të shpenzojnë më shumë se sa të kursejnë dhe gjithashtu Administrata Tatimore ka treguar një lloj disipline të shtuar në këtë vit.

Në anën tjetër e kemi edhe Gjykatën Komerciale e cila do të angazhohet në mënyrë që të mos kemi dhjetëra mijëra sirtar të Pallatit të Drejtësisë me dosje të pluhurosura por ato të trajtohen me shpejtësi e njëkohësisht edhe luftimi i korrupsionit, i krimit të organizuar do ta shtojë besimin që taksapaguesi i Kosovës për çdo cent që jep do ta kuptoj se ku ai edhe shkon.

Nëse në këto dy dekadat e kaluara kryefjala në ekonomi në Kosovë ishte tregu i lirë, kemi nevojë që në dekadën e tretë të shekullit 21, kryefjala të jetë investimi në ekonomi. Pra, do ta kemi edhe më tej ekonominë e tregut mirëpo duhet të kalojmë të kryefjala investim. Ekonomia e Kosovës është jo vetëm e uritur por edhe e etur për investime. Andaj, edhe nëse për shkak të okupimit dhe aparteidit në shekullin e kaluar, edhe për shkak të atyre sistemeve të mbyllura një partiake më ekonomi të dirigjuar, kryefjala e dy dekadave të shkuara ishte tregu i lirë, liria në treg, tash kemi nevojë që të kalojmë te kryefjala tjetër për zhvillim ekonomik, e ky është investimi.  Na nevojiten investime të cilat e rrisin punësimin dhe produktivitetin. 

Ne jemi angazhuar në miratimin e politikave proaktive për të forcuar konkurrencën tonë në FDI. Ne po punojmë gjithashtu për parandalimin dhe eliminimin e korrupsionit dhe forcimin e cilësisë rregullatore. Tani jemi në proces të draftimit të ligjit të ri për prokurim publik dhe shpresojmë se qysh në muajin shkurt do të keni mundësi që si Këshill, përfaqësues të sektorit privat të jepni sugjerimet e juaja për këtë ligj.

Jemi shtet relativisht jo i madh me resurse të kufizuara. Duhet të prioritizojmë. Planifikojmë që të fokusohemi në top 5-10 sektorë kryesorë për tërheqje të FDI, dhe ndër ta mund të jenë:

(1) Business Process Outsourcing (BPO) e mundësuar përmes TIK-ut (nga qendrat e thirrjes tani deri në një masë kritike të programerëve në vitin 2030-); pastaj

(2) Business Process Outsourcing industriale, nga montazhimi, gjysëm-fabrikimi apo komplet prodhimi i pjesëve elektronike dhe produkteve tjera të destinuara për eksport;

(3) procesimi i ushqimit e agroindustria;

(4) përpunim i metalit;

(5) prodhimi i mobileve dhe përpunimi i drurit;

(6) burimet e ripërtëritshme të energjisë (solare, erë dhe ujë);

(7) industria minerare; etj.

Aftësimin dhe arsimimin profesional do ta orientojmë drejt plotësimit të nevojave për fuqi punëtore për ata sektorë që i seleksionojmë. Jemi vend i cili nuk mund të vazhdojë me një gamë të madhe të kurikulave edhe ashtu në shumë raste të vjetërsuara dhe jo-aq-relevante për nevojat e tanishme të tregut të punës.

Duhet patjetër të urëzohet hendeku i shkathtësive duke e lidhur arsimimin dhe aftësimin profesional në njërën anë me tregun e punës në anën tjetër.

Jemi duke punuar në mënyrë aktive për të reformuar klimën e të bërit biznes, për t’u siguruar që korrupsioni nuk do të jetë më i lidhur me autoritetet publike, për t’u siguruar që ligji është i qartë dhe i drejtë për të gjithë dhe që nuk ka asnjë favorizim e padrejtësi në fushën e lojës.

Ne do t’i shqyrtojmë me kujdes rekomandimet e ofruara nga “Libri i Bardhë” dhe shpresojmë të zhvillojmë dialog të mirëfilltë publiko-privat ashtu që sfidat që i kemi përpara t’i tejkalojmë sa më shpejtë dhe sa më lehtë.

Ju falemnderit!

Të ngjashme