Kusari-Lila thotë se nuk ka shanse të përkrahin tërheqjen nga Trusti

Prishtinë | 09 Qer 2022 | 07:38 | Nga Ekonomia Online

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka folur edhe një herë për mundësinë e një tërheqje të dytë nga Trusti.

Ajo ka thënë se nuk ka asnjë shans që LVV-ja të përkrahë ndonjë tërheqje tjetër të mjeteve nga Trusti.

Kusari-Lila ka deklaruar se paratë në Trust janë të dedikuara të ruhen si instrument që siguron mirëqenien e të gjithë atyre që arrijnë moshën 65-vjeçare.

“Në rrethanat aktuale, tërheqja është vlerësuar se nuk i ndihmon kategoritë në nevojë për arsye se nënkuptohet që ata që janë keq ekonomikisht nuk u bën zgjidhje”, është shprehur Kusari-Lila në Klan Kosova.

Në anën tjetër, partitë opozitare deri më sot janë shprehur pro tërheqjes së një shume nga Trusti, pasi që sipas tyre kjo do të t’ia lehtësonte qytetarëve kalimin e krizës që ka prekur vendin pas luftës në Ukrainë, e që ka ndikuar edhe në ngritjen e çmimeve.

Të ngjashme