Kush janë tre kandidatët që po synojnë ta udhëheqin Odën Ekonomike?

Prishtinë | 13 Kor 2022 | 15:58 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), do të mbajë të enjten, me fillim nga ora 10:00, mbledhjen konstituive, ku do të zgjidhen edhe organet e reja drejtuese për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

51 delegatë të këtij kuvendi do të votojnë për organet e reja të OEK-ut.

Për RTKlive nga Oda Ekonomike e Kosovës, kanë konfirmuar se deri më tani për të qenë pjesë e garës për kryetar të OEK-ut, janë tre kandidatë. Ruzhdi Kurtishaj, i cili deri tani ishte kryetar i Kuvendit të Odës Ekonomike, Erëza Vela e cila është një afariste e suksesshme në Kosovë dhe Lulzim Rafuna ish-drejtori i Doganës së Kosovës.

Deri tash kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ishte Berat Rukiqi, i cili javën e kaluar mbajti  konferencën e fundit për gazetarë. Ai vlerësoi se sfidë për katër vite për OEK-un, ishte ndërrimi i qeverive.

Tre kandidatët për kryetar të Odës Ekonomike të Kosovës dhe planet e tyre

Ruzhdi Kurtishaj

No description available.

Ruzhdi Kurtishaj, pronar i një kompanie turistike është njëri nga tre kandidatët për kryetar të ri të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), në Kuvendin zgjedhor i cili do të mbahet të enjten më 14 korrik.  Nga viti 2018 e deri më tash Kurtishaj ka mbajtur pozitën e Kryesuesit të Kuvendit dhe njëherit atë të kryetarit të Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve. Kurtishaj në Odën Ekonomike, nga viti 2006 e deri tash, ka ushtruar funksione të ndryshme.  “Pas përfundimit të mandatit të Kryesuesit të Kuvendit të OEK-ut dhe Kryetarit të Shoqatës së Transportit rrugor të udhëtarëve, bazuar edhe në praktikat i të qenit pjesë e Odës Ekonomike të Kosovës që një kohë të gjatë, synimet e mia janë që të avancohem duke kërkuar votën e delegatëve të Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës për të më votuar për Kryetar të Odës Ekonomike e Kosovës. Këto synime i mbështes, duke u bazuar në kualifikimet profesionale, shkollore të arritura gjer më tash dhe duke u bazuar në referencat e arritura në të gjitha pozitat e kaluara në punë” ka thënë ai për RTKlive.

Erëza Vela

No description available.

Ekonomistja e njohur Erëza Vela ka konfirmuar kandidaturën për kryetare të Odës Ekonomike të Kosovës. Erëza Vela është gruaja e parë që kandidon për kryetare të Odës Ekonomike të Kosovës. Ekonomistja Vela ka njoftuar se në tri javët e fundit, në bashkëpunim me biznese dhe ekspertë të ekonomisë, ka përpiluar planin për qeverisje në katër vitet e ardhshme. Ekonomistja Vela në pika të shkurta e ka përshkruar planin e saj për OEK.
“Plani im në një fjali është: me ia hap dyert odës karshi secilit akterë e partnerë dhe për të pozicionuar atë si oda kryesore ekonomike në vend dhe zëri më i fuqishëm i biznesit në zhvillim. Kur ta arrijmë këtë, OEK do të shndërrohet në atë që duhet të jetë: institucioni kryesor në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, ka shkruar Vela në profilin e saj në “Facebook”.

Lulzim Rafuna

Lulzim Rafuna është njëri nder tre kandidatët për kryetar të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK). Për këto vite Rafuna ka qenë në funksione të ndryshme publike në Kosovë e Shqipëri. Ai ka qenë për disa vite drejtor i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, këshilltar i ish-Ministrit të Financave, Bedri Hamza, si dhe ish-këshilltar i Edi Ramës, për dogana dhe tatime.

No description available.

Roli i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK)

Oda Ekonomike Kosovës (OEK), është organizatë profesionale e themeluar nga Kuvendi i Kosovës. OEK-u është organizatë profesionale e pavarur, jopolitike dhe jofitimprurëse. Është institucioni i vetëm i biznesit i themeluar me ligj dhe veprimtaria e OEK-ut zhvillohet mbi bazën e këtij Ligji (Ligji mbi Odën Ekonomike të Kosovës 2004/7) i miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

OEK është institucion në shërbim të ekonomisë kosovare, partner konstruktiv i institucioneve shtetërore të Kosovës, partner në dialogun social si dhe promotor i zhvillimit ekonomik dhe politikave të mira makroekonomike.

Oda Ekonomike e Kosovës analizon gjendjen ekonomike të Kosovës dhe aktivisht propozon forma të reja dhe të avancuara të biznesit vendor dhe bënë ndërkombëtarizimin e ndërmarrësisë kosovare. Oda Ekonomike e Kosovës kontribuon në zhvillimin e ndërmarrjeve, po ashtu me profesionalizmin dhe vendosmërinë e saj kontribuon në përafrimin e biznesit kosovar dhe shoqërisë kosovare me vlerat evropiane.

OEK ka selinë qëndrore në Prishtinë dhe njësitë rajonale në : Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan.

Të ngjashme