Kush po dëshiron ta ndalë investimin 220 milionësh gjerman në Klinë për interesa të importuesve të çimentos?

Prishtinë | 13 Maj 2022 | 22:00 | Nga Ekonomia Online

Një fushatë e egër ka filluar ditëve të fundit për të ndaluar një investim gjerman në vlerë prej rreth 220 milionë eurosh në komunën e Klinës. Gjoja një grup qytetarësh po thërret protesta për çështje ambientale. Sipas Indeksonline, prapa këtij grupi qëndrojnë struktura lobuese të dyshimta, të ndërlidhura me krimin rajonal të çimentos me çmime të fryra, përfshirë Serbinë.

Me një email të nënshkruar nga një person i përveçëm synohet lajthitja e qytetarëve duke thënë se po thirret protestë “për një Klinë të pastër”, por që në thelb ka pengimin e investimit që pritet të punësojë afro 500 qytetarë të Klinës me rrethinë, e tërë kjo pengesë për interesa të përfituesve individualë.

Por cila është e vërteta e këtij investimi gjerman të cilën po e fshehin strukturat e dyshimta?

Bëhet fjalë për ardhjen në Klinë të kompanisë së njohur gjermane “Thysenkrupp”, me përvojë 160-vjeçare.

Fabrika tashmë i ka marrë të gjitha lejet e operimit nga komuna e Klinës dhe ministritë përkatëse, pas shqyrtimit të të gjitha licencave dhe kërkesave të fushës.

Investitori gjerman me renome botërore ka paraparë ndërtimin e fabrikës e cila respekton 100 % të standardeve evropiane, që do të ketë zero ndikim në ambientin përreth, pa emetim të gazrave, pluhurit dhe me amortizim të zhurmës.

Krahas punësimit të rreth 500 punëtorëve në mënyrë direkte, me mekanizmat përcjellës të veprimtarisë do të mundësojë edhe punësimit indirect të dyfishit të këtij numri.

Sipas të dhënave nga Dogana, Kosova importon rreth 800.000 tonë çimento në vit. Me fillimin e operimit të kompleksit Thysenkrupp në Klinë, do të arrihet të bëhet zëvendësimi thuajse i plotë i këtij importi, një pjesë edhe nga Serbia.

Mosrealizimi i këtij projekti është në interesin e drejtpërdrejtë të prodhuesve nga Serbia dhe shtete të tjera që duan t’i ruajnë pozitat monopolizuese.

Qytetarët e Klinës bashkë me autoritetet komunale e kanë mirëpritur këtë projekt, si një nga masat kryesore për të penguar ikjen e madhe të të rinjve të këtij rajoni Kosovar drejt shteteve të Perëndimit, shkruan Indeksonline.

Të ngjashme