Kuvendi miraton Raportin Vjetor të BQK-së

Prishtinë | 30 Nën 2017 | 12:46 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Raportin Vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës me 67 vota për, 10 kundër dhe 12 abstenime.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku prezantoi raportin e Bankës Qendrore të Kosovës, për vitin 2016. Në bazë të dhënave të paraqitura u tha se ekonomia e Kosovës, u karakterizua me rritje të aktivitetit ekonomik, krahasuar me vitin paraprak.

Sipas vlerësimeve të BQK-së, norma reale e rritjes së Bruto Produktit Vendor (BPV)-së ishte 3.4 për qind në vitin 2016. Ndërsa, pati edhe rënie të investimeve të huja.

“Rritja ekonomike në vitin 2016 u mbështet nga rritja e kërkesës së brendshme, përderisa neto eksporti ndikuan negativisht në normën e rritjes ekonomike. Rënia e vlerës së eksportit dhe rritja e vlerës së importit rezultoi me zvogëlimin e shkallës së mbulueshmërisë së importeve me eksportin në 11.1 për qind. Vlera e remitencave në vitin 2016 ka arritur në 691 milionë euro, ka rritje vjetore prej 3.8 për qind”.

Safete Hadërgjonaj nënkryetare e Komisionit për Buxhet dhe Financa, tha se Banka Qendrore ka ndikuar në rritjen ekonomike dhe stabilitetin ekonomik në vend.

“Trendi i uljes së normave të interesit do të ketë ndikim për të ulur disbalancën në mes të eksportit dhe importit. Institucionet duhet të bëjnë më shumë për ta bërë atraktiv sektorin privat, mos respektimi i ligjit të punës ka bërë që armata punëtorësh të orientohen në sektorin privat”.

“Sipas vlerësimeve të BQK-, rritja e kërkesës së brendshme ka ndikur në ulje të importit. Qeveria e Kosovës duhet të rishikoj politikat zhvillimore për të ulur disbalancën në mes të eksporteve dhe importeve dhe për të krijuar mundësi për rritje ekonomike në përputhje me integrimin ekonomik rajonal dhe për të përmbushur agjendën e MSA-së”

“Qeveria duhet ti qaset me seriozitet kapitalit që vie nga diaspora në mënyrë që të përfitojnë si vendasit ashtu dhe bashkëatdhetarët tanë. Rënia e investimeve është  sinjal që ne duhet ti qasemi me seriozitet informalitetit për të pasur Investime të Huaja Direkte që mund të sjellin zhvillim ekonomik. Grupi Parlamentar i PDK- e përkrah raportin e BQK-së”, tha Hadërgjonaj.

Raportin e BQK-së e përkrahen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, e Grupi 6 Plus.

“Ne jemi dakorduar si grup ta përkrahim këtë raport”, tha Blerim Kuqi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Albert Kinolli nga 6 plus, tha se e përkrahin këtë raport. Enver Hoti në emër të Nismës për Kosovën tha se raporti i plotëson të gjitha kriteret.

Faton Topalli nga  Vetëvendosje ngriti çështjen e policave kufitare. Topalli tha se shqiptarët vazhdojnë të plaçkiten nga kompanitë e sigurimeve, që kanë krijuar monopol.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se sektori i sigurimeve nuk ka pasur vëmendjen e duhur nga BQK.

“Kam thënë edhe ma herët se nëse diçka mbetet pa e trajtuar është sektori i sigurimeve, dëshiroj të theksoj që sektori i sigurimeve ka mbet brenda BQK-së dhe kam përshtypje që s’ka pasur mjaft vëmendje nga BQK”

“Të trajtohet ky sektor. Ky sektor nuk është duke kontribuar fare në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, ndoshta kjo do të duhej të jetë jashtë BQK-së, dhe nuk ka pasur mbikëqyrje adekuate ndaj këtij sektori. Ka shumë qytetarë që nuk arrijnë të kompensohen me kohë nga ky sektor. Duhet të kemi vëmendje të veçantë në këtë sektor pasi ky nuk po diversifikohet”, tha Hoti.

Të ngjashme