Kuvendi miraton Strategjinë e Energjisë 2017-2026, Lluka thotë se siguron furnizim të qëndrueshëm

Prishtinë | 26 Jan 2018 | 17:45 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me 41 vota për të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, 18 kundër dhe 9 abstenime është miratuar Strategjia e Energjisë për vitet 2017-2026.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, gjatë prezantimit të kësaj strategjie para Kuvendit, tha se ajo synon krijimin e një sektori të zhvilluar të energjisë, të padëmshëm për mjedisin dhe shëndetin, në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenies shoqërore në Kosovë në kuadër të një tregu të lirë dhe konkurrues të energjisë.

Lluka tha se arritja e këtij synimi është bazuar në 5 objektiva strategjike:
1. Sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike dhe me kapacitete të nevojshme për një sistem stabil të energjisë elektrike;
2. Integrimi në Tregun Rajonal të Energjisë;
3. Rritja e kapaciteteve ekzistuese të sistemeve termike dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja;
4. Zhvillimi i infrastrukturës së gazit natyror;
5. Plotësimi i caqeve dhe obligimeve në efiçiencë të energjisë, burime të ripërtëritshme të energjisë dhe mbrojtje të mjedisit.

Kreu i MZhE-së tha se mes tjerash Strategjia mbështet ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet prej 450 Megavatësh. “Qeveria do të vazhdojë të përkrahë ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’. Për shkak të pamjaftueshmërisë së kapaciteteve së termocentraleve, Qeveria është e obliguar që të mbështesë ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ dhe rehabilitimin e ‘Kosovës B'”.

“Bazuar në interesimin e madh të investitorëve, Qeveria konsideron se ka nevojë për masa shtesë për mbështetjen e investitorëve në fushën e energjisë elektrike me burime të ripërtëritshme”.

“Qeveria zotohet që të zbatojë praktikat më të mira për ata që preken nga prodhimi i energjisë elektrike”, shtoi Lluka.

Deputetja Sala Berisha-Shala, kryetare e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, tha se komisioni që ajo udhëheq e ka mbështetur në parim këtë strategji. “Ministri e ka prezantuar dhe komisioni e ka mbështetur me shumicë votash”.

Të ngjashme