Lansohet uebfaqja për raportimin e produkteve të rrezikshme, zbatohet edhe MSA-ja

Prishtinë | 10 Maj 2019 | 10:17 | Nga Ekonomia Online

Trupi Koordinues për Mbikëqyrjen e Tregut, me përkrahjen e projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Lëvizja e Lirë e Mallrave” kanë lansuar uebfaqen për raportimin e produkteve të rrezikshme “RAPEX Kosova”, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Endrit Shala, me lansimin e kësaj uebfaqe në bashkëpunim me BE-në zbatohet edhe një pjesë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

Ai ka ftuar qytetarët që të përdorin uebfaqen, kurse nga mediet dhe bizneset ka kërkuar që të raportojnë nëse hasin në produkte të rrezikshme.

“Jam shumë i kënaqur që po nisim faqen e interneti me përmbajtjen siç është “Rapex Kosova”, që mundësin njoftim për produktet që rrezikojnë konsumatorët”.

“Konsumatorët do të jenë më të sigurt për produkte që konsumojnë çdo ditë. 16 mijë copë produkte kemi hequr nga tregu gjatë vitit 2018. Si rrethojë e kësaj bashkë me BE-në kemi krijuar ‘Rapex Kosova’, i cili do të zbatojnë një pjesë të MSA-së dhe do të na ndihmojë për anëtarësim në BE”.

“Kjo do të sigurojë që konsumatorët të kenë mundësi të paraqitjes së ankesave te organet kompetente.  Ftoj qytetarët që të përdorin këtë program kurse bizneset dhe mediet që të ofrojnë bashkëpunim për produkte që mund të gjenden në treg”.

Luigi Brusa, nga Zyra e BE-së, tha se mbrojtja e konsumatorëve duhet të jetë detyrë parësore e institucioneve përgjegjëse.

Ai ka kërkuar edhe nga konsumatorët që t’i kushtojnë rëndësi asaj që konsumojnë.

“Kur të vishni një kostum të bukur ju mund të thoni se jeni veshur elegant, por ju nuk mund ta dini se çfarë cilësie kanë këto rroba apo të fëmijëve tuaj të cilat mund të dëmtojnë shëndetin e tyre. Nëse vërejmë diçka të tillë në treg, atëherë ne duhet të informojmë autoritetet përkatëse”.

“Kjo ueb-faqe është një mënyrë e garantimit të shëndetit të tyre për të gjitha mallrat që importohen tek ju. RAPEX mbulon produktet si: veshmbathje, lodra, bizhuteri, produkte elektrike dhe farmaceutike. Për këto e produkte të tjera që janë gjetur vërejtje më parë, janë adresuar dhe janë ndërmarrë masa, përmes këtij sistemi në BE”.

Lulzim Syla, kryetar i Trupit Koordinues për Mbikëqyrjen e Tregut, tha se qëllimi i uebfaqes është tu ofrohet siguri konsumatorëve, raporton EO.

Përmes kësaj ueb faqeje synohet të ofrohet informacion publikut për autoritetet inspektuese që monitorojnë sigurinë e produkteve në treg dhe veçanërisht për raportimin e produkteve të rrezikshme jo-ushqimore që gjenden në tregun e Kosovës.

Aty do të publikohen të gjitha njoftimet për produktet që paraqesin rrezik serioz për konsumatorët, natyra e rrezikut të paraqitur si dhe masat e ndërmarra për parandalimin e këtyre rreziqeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme