Lekaj në Dragash: Me hapjen e korridoreve do të përfitojë turizmi

Dragash | 02 Nën 2017 | 15:52 | Nga

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, vizitoi sot komunën e Dragashit, ku u njoh nga afër me gjendjen e infrastrukturës rrugore dhe problemet e tjera që pengojnë qarkullimin e banorëve të kësaj ane.

Me rastin e kësaj vizite, ministri Lekaj, i cili shoqërohej nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Hoxha, tha se investimi në këtë zonë është një domosdoshmëri.

“Sot jemi në inspektim të rrugëve në trekëndëshin Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, duke vizituar projektet e Ministrisë së Infrastrukturës, obligime tonat të cilat zotohemi që do t’i përfundojmë në këtë zonë, ku me hapjen e korridoreve do të përfitojnë turizmi dhe zhvillimi ekonomik”, tha ai.

“Investimi këtu është domosdoshmëri, sepse lidhen tri shtete, Kosovë-Shqipëri-Maqedoni. Prandaj jemi këtu me deputetin që për së afërmi të njihemi me problemet e qytetarëve dhe të inkurajojmë komunitetin goran që të jetojë në trojet e veta dhe të trajtohen konform kërkesave të tyre”.

“Qeveria Haradinaj do të jetë afër zgjidhjes së problemeve të këtyre qytetarëve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, në veçanti të komuniteteve, në mënyrë që ata të ndjehen ashtu si ju takon në shtetin e Republikës së Kosovës”, përfundoi ai.

Gjatë qëndrimit në rajonin e Dragashit, ministri Pal Lekaj vizitoi edhe fshatin Restelicë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme