Ligji për Efiçiencë të Energjisë del në diskutim publik

Prishtinë | 12 Shk 2018 | 20:30 | Nga

Ligji për Efiçiencë të Energjisë nga sot është i hapur për diskutim publik, ka njoftuar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Në një postim në faqen e tij në Facebook, Lluka ka ftuar të gjithë të interesuarit që nëse kanë propozime të kontribuojnë që ky ligj të bëhet sa më të mirë, duke i shërbyer nevojave të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve tona.

POSTIMI I PLOTË I MINISTRIT LLUKA:

Të nderuar qytetarë,

Një ndër prioritetet kryesore që i kam caktuar në ministrinë që drejtoj është efiçienca e energjisë dhe energjia e ripërtërishme, duke e quajtur vitin 2018 edhe Viti i Gjelbër. Duke e konsideruar ndikimin pozitiv që këto dy fusha kanë në jetën tonë të përditshme si dhe në zhvillimin ekonomik të vendit, kemi filluar menjëherë të merremi me legjislacionin primar që duhet të jetë në fuqi për t’i vënë në jetë mekanizmat e caktuar që zhvillojnë këtë sektor.

Ligji për Efiçiencë të Energjisë nga sot është i hapur për diskutim publik, prandaj do të vlerësoja nëse keni mendime për të ndarë me ne që ta bëjmë këtë ligj sa më të mirë, duke i shërbyer nevojave të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve tona.

Së shpejti do të organizojmë edhe një takim pune me odat ekonomike dhe shoqërinë civile që prekë këtë fushë në mënyrë që të sigurohemi që zëri i të gjithë aktorëve është dëgjuar.

Ky ligj parasheh edhe formimin e Fondit për Efiçiencë të Energjisë, fond shtetëror që i ndihmon sektorit për t’u zhvilluar më shpejtë! Bashkimi Evropian ka ndarë 10 milionë EUR për këtë fond dhe, njëkohësisht, ka interesim jashtëzakonisht të madh nga donatorët tjerë për ta rritur atë edhe më shumë!

Ju faleminderit paraprakisht për kontributin!

Të ngjashme