Lluka: Bordi i “Trepçës” në fillim të prillit, të gatshëm për investitorët e parë

Prishtinë | 12 Mar 2018 | 09:07 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka në një prononcim për Ekonomia Online ka bërë të ditur se bordi i “Trepçës” do të jetë funksional në fillim të muajit prill.

Më 25 mars pritet që të mbahen intervistat finale për ata që kanë aplikuar për pozitën e anëtarit të bordit.

“Me 25 mars janë intervistat finale dhe pastaj prej intervistave dhe kalimin në qeveri un nuk e besoj që merr kohë më shumë se një javë përderisa zgjidhet bordi, sepse me të vërtet kemi interesim jashtëzakonisht të madh që ta finalizojmë këtë bord”.

“…bordi ka mbetur pa drejtor funksional dhe bordi ka mbetur pa një proces zhvillimor dhe ka interesim të madh nga investitorë të huaj që të investojnë në Trepçë, prandaj çdo ditë e humbur është humbje kohe”.

Statuti për “Trepçën” ministri tha se është i gatshëm, në mënyrë që të ndihmojë bordin e ri në punë që e pret.

“Unë besoj që nëse ne arrijmë që ta finalizojmë bordin deri në fund të këtij muaji apo java e parë e muajit prill, statuti është i gatshëm sepse një grup e kemi themelua për të punuar atë. Një draft-statut është bërë gati për t’i ndihmuar bordit që vjen të ketë një material të mirëfilltë”, tha ai.

Ai tha se menjëherë pas funksionalizimit të bordit, pikërisht në fillim të muajit do të presin investitorët e parë për këtë ndërmarrje.

Madje ka paralajmëruar se në muajin prill “Trepça” do të regjistrohet si shoqëri aksionare e deri në fund të vitit të ketë edhe investitorin e parë, raporton EO.

“Në muajin prill mund të regjistrohet edhe ‘Trepça’ si shoqëri aksionare, pastaj në muajin maj e tutje mund të bëhet projekti për tu përgatitur për zhvillimin e saj ku është thithja e investimeve të huaja e gjëra të tjera. Unë besoj që nëse ne arrijmë të finalizojmë ato sipas kësaj periudhe unë besoj që në fund të këtij viti mund ta kemi edhe një konfirmim për investimin e parë”, tha Lluka.

Të ngjashme