Lluka dhe Balaj biseodjnë rreth gjendjes aktuale në Telekomin e Kosovës

Prishtinë | 19 Pri 2019 | 15:59 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka së bashku me kryetarin e Sindikatës së Telekomit të Kosovës, Lami Balaj, kanë zhvilluar një takim pune ku kanë biseduar rreth gjendjes aktuale në Telekomin e Kosovës.

“Ministri u njoftua për gjendjen në Telekomin e Kosovës, në veçanti mos-vazhdimin e kontratës më Z-Mobile, e cila skadon me 30 korrik të këtij viti. Ministri u informua qartë se, FSP PTK së bashku me punëtorët tashmë ka marrë vendim, ashtu siç i ka njoftuar të gjitha institucionet përmes peticionit, se çdo formë e vazhdimit të kësaj kontrate nuk do të ekzekutohet në asnjë mënyrë nga ana e punëtorëve, duke e bërë kështu të pamundur realizimin e saj. Prandaj, nga ministri u kërkua që t’i shfrytëzojë kompetencat e tij institucionale për parandalimin e vazhdimit të kësaj kontrate. Ministrit iu bë me dijë se, në rast të një vazhdimi të mundshëm të kontratës, çdo lloj dëmi eventual që mund të shkaktohet nga moskryerja e punëve që lidhen me Z-Mobile pasojat nuk barten nga FSP PTK dhe punëtorët”, shkruhet në komunikatën e dërguar nga FSP PTK.

Në komunikatë njoftohet se në takim u diskutua dhe u kërkua që të shqyrtohen edhe të gjitha kontratat tjera të dëmshme për Telekomin e Kosovës.

Kërkesë tjetër drejtuar ministrit ishte edhe aprovimi sa më parë i garancionit për kredi nga qeveria e Republikës së Kosovës, në mënyrë që të mundësohet zhvillimi i mëtutjeshëm i Telekomit të Kosovës.

“Ministri Valdrin Lluka na informoi se, garancioni për kredi është proceduar. Po ashtu, Ministri u zotua se në takimin e radhës së qeverisë do të shqyrtohen të gjitha kërkesat dhe shqetësimet e FSP PTK lidhur me gjendjen e fundit në Telekomin e Kosovës”, shkruhet në komunikatë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme