Lluka: Disa kontrata të Telekomit janë duke u hetuar, ndërmarrja në prag të falimentimit

Prishtinë | 03 Maj 2019 | 10:39 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, gjatë raportimit  para Komisionit hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala, tha se disa kontrata të Telekomit janë duke u hetuar, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, Telekomi është në buzë të falimentimit pasi që sipas tij, operimin e kësaj ndërmarrje e rrezikojnë kontratat të cilat në çdo moment mund të përfundojnë në duar të përmbaruesve.

“Me implementimin e kodit +383 tani të hyrat në vit janë 5 milionë euro. Telekomi sot prapë po operon me një humbje rreth 15 milionë euro. Telekomi sot rrezikohet nga shumë operatorë për me përfunduar tek përmbaruesi.

“Të gjitha këto kontrata me përfunduar te përmbaruesi e rrezikon operimin e tërësishëm të Telekomit prandaj për këtë arsye Telekomi është në buzë të falimentimit”.

Ai shtoi se Telekomi ka kontrata që e mbingarkojnë këtë ndërmarrje dhe sipas tij, disa nga to janë nën hetime.

“Një vendim gjatë privatizimit e kemi pas si një ndalesë të investimeve kapitale në Telekom. Ka probleme të shumta Telekomi i Kosovës, licenca i skadon Telekomit në korrik, por është një shumë e madhe pasi disa milion i takon licenca për 15 vitet e ardhshme”.

“Ka kontrata që e mbi ngarkojnë Telekomim siç janë kontratat e shitjes dhe disa të tjera që janë edhe nën hetime”.

Lluka shtoi se 2016-ta ishte viti ku Telekomi kishte shënuar një humbje të madhe prej 53 milionë eurosh, për ta pasuar pastaj vitin 2017 me 15 milionë euro humbje.

“Telekomi i Kosovës që nga momenti që kam marrë mandatin si ministër jemi njoftuar për problemet qe i ka kjo ndërmarrje. Në vitin 2016 i ka pas 53 milion euro humbje ndërsa në vitin 2017 kemi pas 15 milion euro humbje”.

“Ajo që është me rëndësi është se ne në momentin parë kemi marrë vendime për ndalimin e shpenzimeve të panevojshme në mënyrë që ta kemi një hap drejtë këtyre shpenzimeve që kanë qenë të mëdha”.

Sipas deputetit të VV-së Liburn Aliu, tendenca për privatizim është një çështje e mbylljes së kapakut të gjendjes në Telekomit.

“Ne po e dimë që Telekomi është buzë falimentimit por duam ta dimë se pse është buzë falimentimit. Tendenca për privatizim po më duket ma shumë si një mbyllje kapaku që mos me u marrë më me këtë muhabet”.

“Sa i përket kontratave të dëmshme që mendojmë që Telekomit e kanë sjellë në buzë falimentimit ju në këtë pikë jeni shumë të ngadalshëm. A ju ka prekë juve vetë punësimi në Telekom a keni qenë ju i punësuar aty?”.

Ndërsa deputeti i Nismës Milaim Zeka, pyeti Llukën nëse ai ka qenë drejtor i marketingut në Z Mobile. “A është e vërtetë që ti më herët ke qenë drejtor i marketingut në Z Mobile?”.

Për pyetjen e deputetit Zeka, Ministri Lluka tha se ai ka punuar në fushën e marketingut dhe shitjes në Z Mobile, por sipas Llukës ai nuk ka pasur ndonjë afërsi me pronarët e kësaj kompanie, raporton EO.

“Nuk mund të jap mendim personal në këtë takim për Z Mobile. Sa i përket investimeve kapitale është fakt që nga viti 2010, 2011 dhe 2012 nuk është investuar në Telekom dhe kjo i ka shkaktuar dëm të madh”.

“Në Z Mobile kanë punuar para se me hy në Ministri po kam punuar në Marketing dhe shitje prandaj nuk kam ndonjë afërsi me pronarët e kësaj kompanie”.

Të ngjashme