Lluka: Fati i “Kosovës së Re” mbetet në dorën e Qeverisë së ardhshme

Prishtinë | 14 Dhj 2019 | 08:24 | Nga Albanë Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” po përballet me vonesa për shkak të mungesës së Qeverisë funksionale, por problem kyç mbetet mossigurimi i financimit të këtij projekti.

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i tha Ekonomia Online se Qeveria duhet të formohet sa më shpejt e të jetësohet ky projekt. 

Pavarësisht se thotë ai se mund të ndryshojnë politikat, fati i këtij projekti është në dorë të Qeverisë në ardhje.

Lluka tha se po presin deri në mars të vitit 2020 nga agjencioni amerikan OPIK, e cili pritet të investojë me 450 milionë dollarë këtë projekt, andaj thotë ai se ka shpresë që ky projekt të ecë.

“Deri në maj 2020 kemi kohë që secila palë t’i përfundoj detyrat e veta që i ka. Për momentin situata qëndron në rregull. Është pjesë e gjetjes së financimit e cila nuk është përfunduar dhe që është problem më i madh, por prapë se prapë ka një periudhë edhe 5-6 muaj kohë të cilët mund t’i jetë në dispozicion për t’i kryer gjitha detyrat”.

“Sa i përket financimit është agjencioni amerikan OPIK që do ta financojë me 450 milionë dollar, nëse realizohet e mundëson edhe investimin në këtë projekt. Ky agjencion ka pasur të marr vendim më herët por e ka shtyer vendimin për mars të vitit të ardhshëm. Ne po e presim atë periudhë, nëse në mars mblidhet bordi dhe vendos për financimin e projektit, gjasat janë të mëdha që projekti të ecë tutje”.

Lluka ka kërkuar nga partitë politike të diskutojnë për rëndësin e këtij projekti. Siç tha ai pjesa e financimit të projektit mbetet obligim i kompanisë “Conture Global”.

“Supozojmë që Qeveria në ardhje nuk ka ndonjë plan tjetër, pasi që politikat mund të ndryshojnë, siç kemi parë deklarata publike. Është më rëndësi që të ulemi opozitë e pozitë që ta diskutojmë këtë çështje pasi ka rëndësi të madhe përbrenda ky projekt”.

“Financimi nuk është përmbyllë dhe është obligim i kompanisë Conture Global. Po të kishte përmbyllje financiare atëherë ne do ta dërgonim në Kuvendin e Kosovës për aprovim final. Sa i përket detyrave tona si qeveri besoj që ne i kemi përfundua, gjitha obligimeve jemi duke i qëndruar afër”.

“Në mungesën e Qeverisë funksionale në këtë kohë, kemi hapësirë kohore që nuk ka pasur vendimmarrje të shpejta e të duhura, por shpresoj që qeveria të formohet sa më shpejt e të vazhdojmë tutje. Qeveria e ardhshme do të ketë në dorë të vendos për fatin e këtij projekti tutje”, ka thënë Lluka.

Në rast se Kosova shpallet fajtore për dështimin e këtij projekti, Kosovës do t’i kushtojë mbi 19 milionë euro. Por, Lluka thotë se nuk ka hapësirë që të ndodhë një gjë e tillë.

Ministri Lluka potencoi se nëse Counture Global është fajtor për mos sigurimin e financimit, Kosova përfiton 7.5 milionë euro.

“19.4 milionë është dëmi që i shkaktohet buxhetit të Kosovës nëse Kosova është fajtor, por nuk ka hapësirë që Kosova të jetë fajtore në këtë rast për arsye se nuk ka nevojë. Sido që të  dihen dënimet, edhe nëse ‘Counture Global’ është fajtor nuk siguron financimin, ne përfitojmë rreth 7.5 milionë euro të vlerësimit të të gjitha studimeve që i marrin në pronësi si shtet. Janë të përcaktuara qartë me kontratë dhe mos të vijë deri të koha e përcaktimit të dënimit, por të shohim si do të ecim tutje”, u shpreh Lluka për EO.

Ndër të tjera, ministri Lluka ka njoftuar se Kosova do t’i kontrollojë kufijtë energjetik pas shkëputjes nga blloku i Serbisë, kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi me 14 prill 2020, derisa mjetet thotë ai se do t’i inkasojë KOSTT-i.

Lluka potencoi se sfidë mbetet pjesa veriore për mospagesat e energjisë elektrike. Por, thotë ai se pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes të gjithë shtëpitë brenda një viti do të inkasohen.

“Është përfundua dhe është votua, duke falënderuar transmisionet e mëdha, siç janë Gjermanisë, Francës e Anglisë. Ne deri me tani 9 deri në 12 milionë euro në vit Serbia i ka inkasuar duke i kontrolluar kufijtë energjetik të Kosovës. Me implementimin e marrëveshjes për shkëputje nga blloku energjetik i Serbisë 14 prill 2020 Kosova do ti kontrollojë kufijtë energjetikë kurse mjetet do t’i inkasoj KOSTT”.

“Mbetet sfidë pjesa veriore edhe 12 milionë euro shtesë janë mospagesë që i bëjnë në veri. Por i kemi dhënë një kohë që duhet të përgatiten të gjithë akteret energjetik që brenda një viti nga 14 prilli 2020 deri në vitin 2021 të fillojë inkasimi i të gjitha shtëpive në veri”, u shpreh Lluka.

Të ngjashme