Lluka: Këtë muaj do të dalim me vlerësim për kontratën e Telekomit me Z Mobile

Prishtinë | 14 Qer 2018 | 13:42 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka pyetur ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, se a është në dijeni dhe cili është qëndrimi i tij për marrëveshjen mes Telekomit të Kosovës dhe Z Mobile pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit, ku PTK sipas tij i obligohet kësaj kompanie me 32 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

“Pyetja ka qenë për marrëveshjen mes Telekomit dhe Z Mobile pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit, ku PTK i obligohet Z Mobiles 32 milionë euro, arrihet një marrëveshje për të tejkaluar këtë shumë në këmbim të 100 mijë numrave që 3G dhe 4G që Telekomi duhet t’i jap Z Mobile. Pyetja për ministrin ka qenë se a është në dijeni për këtë marrëveshje dhe cili është qëndrimi i tij pasi flet në cilësinë e aksionarit në emër të Qeverisë së Kosovës karshi ndërmarrjeve publike, duke përfshirë edhe Telekomin e Kosovës. Pres që ministri të përgjigjet së paku me shkrim për këtë çështje”.

Ministri Lluka, duke iu përgjigjur deputetit Hoti  ka thënë se pas funksionalizimit të Bordit të Telekomit, kanë kërkuar që ai të bëjë një vlerësim të kontratës sa i përket formave të veprimit se a duhet të vazhdohet me kontratën apo të ndërprehet kontrata dhe të paguhet dëmi për ndërprerjen e saj.

Lluka shtoi se vendimi bazohet në ekspertizën e ekspertëve dhe presin që deri në fund të qershorit të dalin me një qëndrim sa i përket kësaj marrëveshjeje.

“Me marrjen e detyrës, sot e kemi funksionalizuar bordin e Telekomit të Kosovës, pra që nga muaji mars. Menjëherë është kërkuar nga bordi që të bëjë një vlerësim të kontratës për ta shikuar impaktin në dëm që do të jetë sa i përket cila është forma më e mirë, a të vazhdohet me kontratën apo të ndërprehet kontrata dhe të paguhet dëmi që duhet paguar dhe në bazë të atij vlerësimi do të marrë vendim bordi në masat që do të marrin. Pra, është në periudhën e vlerësimit dhe kemi kohë 6 muaj nga themelimi i bordit, që do të thotë se janë në pyetje edhe disa muaj. Mirëpo, ne besojmë se deri në fund të muajit qershor do të dalim me një qëndrim  sa i përket kësaj marrëveshjeje. Pra, vendimi do të bazohet tërësisht në ekspertizën e ekspertëve në këtë fushë, të cilët telekomi do t’i ngarkojë në vlerësim të kësaj kontrate”.

Lluka i ka pasur edhe disa pyetje për Hotin, i cili gjatë qeverisjes së kaluar të Isa Mustafës ka qenë ministër i Financave dhe anëtarë i komisionit për Ndërmarrjet Publike, duke përfshirë edhe Telekomin.

Lluka ka pyetur Hotin se sa ka qenë anëtar i këtij komisioni, a e ka ngritur ndonjëherë çështjen e kontratës mes Telekomit të Kosovës dhe Z Mobile.

“Pra, ky komision ka kompetencë ekskluzive për të paraqitur vërejtjet, propozuar dhe vendosur për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ndërmarrjet publike. Z. Hoti më lejoni të ju përkujtoj se nënshkrimin e marrëveshjes së datës 24 maj 2017 në mes të kompanisë Z Mobile dhe Telekomit të Kosovës, i ka paraprirë vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit i datës 9 dhjetor 2016, andaj më lejoni të pyes si në vijim: Sa ishe anëtar i Komisionit për Ndërmarrjet Publike, a është ngritur të paktën një herë çështja e kontratës së Z Mobile dhe Telekomit të Kosovës duke pasur parasysh që këtij vendimi i kanë paraprirë” disa vendime të ARKEP-it, si dhe shkresave të Telekomit të Kosovës drejtuar Qeverisë mbi pamundësinë e tyre për të përmbushur kërkesën e Z Mobiles? Sa ishe anëtar i këtij komisioni a keni parashtruar një herë të vetme për diskutim mungesën e bordit të drejtorëve të Telekomit, që ka munguar mbi një vit? Në cilësin tuaj si ish-anëtar komisioni a jeni interesuar një herë të vetme për ankesat e Z Mobile dhe paralajmërimet e tyre për të dërguar Telekomin në Arbitrazh”.

“Gjatë kohës së Arbitrazhit, në periudhën prill 2015 kur për herë të parë është paraqitur kërkesa për arbitrim deri në momentin përfundimtar në dhjetor të vitit 2016, a e keni ftuar një herë të vetme telekomin e menaxhmentin për të diskutuar dëmet që mund t’i shkaktojnë ndërmarrjes në rast se vendimi është në dëm të Telekomit të Kosovës?”

Hoti i ka replikuar ministrit Lluka duke i thënë se nuk mund t’i drejtohet atij me pyetje. Hoti ka shtuar se Lluka duhet të përgjigjet për disa çështje në ministrinë e Tregtisë.

“Ministri e ka gabuar krejt qëllimin e pyetjve parlamentare. Ai nuk mund të më drejtohet mua me pyetje, ai është kryesues i Komisionit për Ndërmarrjet Publike dhe ai duhet të jap qëndrimin e tij tash si ministër i Zhvillimit Ekonomik, si kryesues i këtij komisioni se çfarë qëndrimi ka karshi kësaj marrëveshje dhe si planifikon të merret me të. Mos të dalë në foltore me pyetje sepse ndryshojnë rolet shumë shpejt dhe pastaj jep përgjegjësi për këto. Por, në një situatë normale ju garantoj që ai nuk do të ishte fare aty, unë t’i bëjë plot pyetje për shumë çështje ministrit, me i tregu se si po merret me çështjen që e ka lënë të hapur tash e sa vite në ministrinë e Tregtisë dhe si po përgjigjet çdo ditë në gjyqe për çështje të hapur që ka atje. Kjo është çështja për të cilën ai duhet të përgjigjet”.

Të ngjashme