Lluka: Kosova përpunon 256 litra ujë për kokë banori, “humb” 57 për qind

Prishtinë | 24 Jan 2018 | 18:21 | Nga

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, thotë se humbjet e ujit të përpunuar në nivel vendi janë tepër të mëdha – 57 për qind, ndërkohë që standardet evropiane lejojnë deri në 12 % humbje.

Nga ana tjetër, Kosova përpunon më së shumti ujë – rreth 256 litra ujë në ditë për kokë banori. Për krahasim, mesatarja në vendet skandinave është 75 litra për kokë banori.

“Keqpërdorimi i ujit tejkalon çdo masë”, ka shkruar ministri Lluka, në faqen e tij në Facebook, pasi ka takuar përfaqësuesit e Shoqatës së Ujërave të Kosovës (SHUKOS), ku bëjnë pjesë të gjithë kryeshefat e Ujësjellësve Rajonalë të vendit.

Me ta ka diskutuar problemet e këtij sektori vital për vendin. Lluka ka thënë se pas këtij takim, dhe pasi ka lexuar dhe raportin e Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, ka mësuar se disa nga problemet kryesore në këtë sektor janë:

“Humbjet e ujit të përpunuar në nivel vendi: 57%. Pra ky është uji i përpunuar dhe që nuk faturohet dhe humb për 3 arsye: a. Rrjedhjet e gypave të vjetër, b. Lidhjet ilegale dhe c. humbjet nga kyçjet legale por që nuk faturohen mirë për shkak të orëmatësve të vjetruar. Shumica (mbi 50% e humbjeve) janë nga kycjet ilegale. Norma e kënaqshme është nën 20% kurse standardet Evropiane janë rreth 12%”.

“Mesatarisht në Kosovë përpunohen rreth 256 litra ujë në ditë për kokë banori. Mesatarja në vendet skandinave është 75 litra për kokë banori. Keqpërdorimi i ujit tejkalon çdo masë”.

Aktualisht, ka saktësuar Lluka, janë 318 324 konsumatorë, duke mbuluar 1.5 milionë banorë, apo 91% të popullatës me ujë të sigurt dhe të pijshëm.

“Ka pasur rritje të kapaciteteve përpunuese të ujit, mirëpo gjendja e humbjeve është përkeqësuar në raport me kapacitetet e reja”.

Ndërkohë, trajtimi i ujërave të ndotur është pothuajse inekzistent. “Vetëm 2% e tyre trajtohen, kurse pjesa tjetër derdhet pa asnjë trajtim në natyrë”.

“Gjakova qëndron më së miri sa i përket kualitetit të ujit, ndërprerjeve të furnizimit dhe zvogëlimit të humbjeve”, ka theksuar ministri i Zhvillimit Ekonomik.

Sipas tij, sektori i ujërave ka nevojë urgjente për intervenim dhe investime kapitale.

Image may contain: 9 people, people smiling, people standing and suit

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme