Lluka: Menaxherit të Trepçës i skadoi kontrata, iu refuzua qasja e paligjshme në bankë

Prishtinë | 12 Mar 2018 | 16:45 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thirrur një konferencë për medie, pas lajmit se drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, ka dhënë dorëheqje. Ndër shkaqet e “dorëheqjes”, Tmava kishte përmendur presionin nga kreu i MZhE-së.

Por, Lluka tha se në fakt mandati i drejtorit të Trepça Sh.A. ka përfunduar më 6 shkurt 2018. “Andaj, cilado letër ‘dorëheqjeje’, është tendencioze, jo e sinqertë dhe nuk krijon pasoja juridike”, tha Lluka, raporton Ekonomia Online.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik thekson se është e obliguar që të respektojë afatet dhe dispozitat ligjore për secilin udhëheqës të cilësdo ndërmarrje publike, pra edhe për ish-menaxherin e “Trepçës”,Tmava.

Lluka theksoi se se që nga marrja e mandatit , në muajin shtator 2017, ka qenë i angazhuar me të gjitha kapacitetet dhe ka trajtuar me prioritet çështjet që kanë të bëjnë me funksionimin dhe administrimin e “Trepç’s”. “Si rezultat jemi në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës, të cilët janë të vetmit me kompetencë ekskluzive për përzgjedhjen e stafit menaxherial si dhe marrjes së vendimeve strategjike dhe në interes të ndërmarrjes”, ka shpjeguar ai.

Më tutje, ministri Lluka tregoi se më 28 shkurt 2018 kishte pranuar një kërkesë nga ana e Tmavës për qasje në bankë, të cilën tha se e ka refuzuar, “duke pasur në konsideratë që kërkesa si e tillë është jo e ligjshme dhe e parashtruar nga një ish-menaxher, të cilit i ka përfunduar mandati”.

Duke marrë parasysh dhe interesin e punëtorëve dhe në përgjithësi të afarizmit të ndërmarrjes, Lluka tha se ka kërkuar që autorizimi për të operuar me paranë e ndërmarrjes të bartet te personat kompetentë, në përputhje me aktet ligjore në fuqi si dhe praktikën e deritanishme.

“Pretendimet për ndërhyrje të çfarëdo lloji janë të pabaza dhe qartësisht kanë për qëllim keqinformimin e opinionit publik e mbi të gjitha arsyetimin e veprimeve të njëanshme të ish-menaxherit Tmava, i cili pa kurrfarë njoftimi paraprak tek aksionari (në këtë rast Ministria e Zhvillimit Ekonomik), vendos të marrë pjesë në aktivitete, të cilat implikojnë shpenzime financiare për ndërmarrjen e të cilat janë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi”, thekson MZhE.

Të ngjashme