Lluka: Ndotja më e madhe nga thëngjilli nëpër shtëpi, sesa nga termocentralet

Prishtinë | 31 Jan 2018 | 19:20 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, gjatë seancës së sotme në Kuvend në lidhje me ndotjen enorme të ajrit, ka dhënë disa shifra për ndotësit me të mëdhenj të ajrit në bazë të një studimi që po e bën Banka Botërore.

Sipas tij, djegia e thëngjillit të papërpunuar nga shtëpitë private është ndotësi më i madh i ajrit, derisa veturat kontribuojnë me 12 për qind në ndotjen e ajrit. Megjithëse më ri, termocentrali “Kosova B” është ndotës më i madh sesa “Kosova A”.

Ai tha se këto janë të dhëna zyrtare nga raporti i BB-së që pritet të dalë në qershor të vitit që vjen.

Sipas këtij hulumtimi, termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” ndikojnë nga 1 deri në 9 për qind në ndotjen e mjedisit në Prishtinë.

“Ndotës më i madh është ‘Kosova B’ sesa ‘Kosova A’, sepse ‘Kosovës A’ filtrat i janë ndërruar në vitin 2011, ndërsa në ‘Kosovën B’ që nga viti 1985. Ndotësi më i madh sipas të njëjtit studim në Prishtinë mbetet shtëpitë që djegin thëngjill të papërpunuar”, tha Lluka.

Mes tjerash, ministri i MZhE-së tha se investimi në zgjerimin e projektit të ngrohjes përmes koogjenerimit do të zbuste ndotjen në kryeqytet.

“‘Termokosi’ më procesin e koogjenerimit ka kapacitet 140 megawatë energji termike të prodhojë dhe po shfrytëzohen vetëm 80 megawatë. Pra, ka hapësirë për investime”.

Të ngjashme