Lluka: Nuk shkon që rroga mesatare në Telekom të jetë 1000 €, me subvencione nga shteti

Prishtinë | 04 Maj 2018 | 20:05 | Nga

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka komentuar reagimin e ashpër të Sindikatës së Telekomit, e cila e akuzon se po tenton të shkatërrojë Postën dhe Telekomin e Kosovës.

“Unë e kuptoj shqetësimin e tyre, sepse në asnjë moment nuk është mirë nëse bëhet ndonjë ulje e pagave”.

“Ajo çfarë nuk e kuptoj është akuza e Sindikatës se do ta shkatërrojmë Telekomin e Kosovës, sepse kjo nuk qëndron, pasi është e kundërta – po përpiqemi ta shpëtojmë”.

“Telekomi i Kosovës sot ka 60 milionë euro borxhe, në tremujorin e parë të vitit 2018 ka 4 milionë euro humbje”.

“Në vitin 2017, në gjendjen financiare të finalizuar ka 15 milionë euro humbje. Në vitin 2016, të audituara janë 51 milionë euro humbje”.

“Prandaj, nuk ka mundësi që ‘Vala’ në pafundësi t’iu qëndrojë këtyre humbjeve. E vetmja mënyrë e shpëtimit nga bankroti është të merren disa masa”.

Lluka në Info Magazine të Klan Kosovës ka kundërshtuar Sindikatën edhe për rrogën mesatare në Telekom.

“Nuk pajtohem me Sindikatën, e cila thotë që rroga mesatare është 700 euro, e jo siç kam deklaruar unë – rreth 1000 euro”.

“Telekomi sot në listën e rrogave paguan 27 milionë euro në tërësi. Janë gjithsej 2300 punëtorë. Një kalkulim i thjeshtë, 27 milionë pjesëtuar për 2300 punëtorë del se rroga mesatare është rreth 1000 euro”.

“Nuk ka diskutim se është rreth 1000 euro”.

“Rroga mesatare prej 1000 eurosh është shumë e lartë për gjendjen e tashme në Kosovë. Natyrisht, nuk kam absolutisht asgjë kundër, shpresoj që Telekomi kthehet në fitim dhe prapë iu rriten rrogat”.

“Problemi është që për ta shpëtuar Telekomin kjo është e vetmja formë, sepse nuk duhet të qëndrojnë këto rroga. Nuk është në rregull as prej qytetarëve që nuk janë të punësuar në Telekom”.

“Si është e mundur që Qeveria ta subvencionojë një ndërmarrje publike ku rrogat janë me mijëra euro, deri te drejtori, që e ka rrogën 5200 euro, kurse taksat të merren nga taksat e qytetarëve, që kanë rroga shumë më të vogla?”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka thënë se në tavolinë janë vetëm dy opsione për Telekomin.

“Kemi dy opsione: i pari është falimentimi i Telekomit. Nëse bëhet falimentimi, për ta ristrukturuar Telekomin gjysma e punëtorëve duhet të largohen nga puna”.

“Opcioni tjetër është përmes subvenciomit nga Qeveria dhe kjo është tepër e pamundshme tash kur edhe rezervat e shtetit janë përdorë”.

Lluka ka folur edhe për vizitën e zyrtarëve të lartë të kompanisë së njohur franceze të telekomit “Orange”, duke mos dhënë detaje për interesimet e tyre potenciale për blerjen e Telekomit.

“Idenë për uljen e pagave e kam shprehur edhe më herët, kam diskutuar edhe muaj më parë në shumë debate”.

“Kjo ulje nuk ka të bëjë me kompaninë ‘Orange’ e cila ka ardhë me vetiniciativë në Kosovë në nivel jashtëzakonisht të lartë dhe ka shprehur interesim për Telekomin”.

“Ne ua qartësuam situatën ku është Telekomi, madje u thamë edhe se lënda është në arbitrazh, pasi në atë moment nuk e kishim të qartë nëse vendimi do të ishte në favorin tonë”.

“Interesi ka qenë kryesisht për marrjen e informatave. Janë takuar me Rregullatorin, me drejtorë brenda Telekomit për të shikuar ku është situata”.

“Kjo për ne është shumë me interes. Ku ta marrim që një operator si ‘Orange’, me 41 miliardë euro qarkullim, të investojë në Kosovë”.

Të ngjashme