Lluka premton zgjidhje për ujërat e zeza në Kamenicë

Kamenicë | 23 Kor 2018 | 10:29 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qasje në rrjetin e ujësjellësit, trajtimin e ujërave të zeza dhe instalimin e fibrave optike, ka premtuar ministri i Zhvillimit ekonomik, Valdrin Lluka, për banorët e Kamenicës gjatë një vizite në këtë komunë.

Ai, bashkë me zëvendësministrin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, dhe  deputetin e AKR-së, Islam Pacolli, u zotuan për përkrahjen e projekteve në Kamenicë, raporton Ekonomia Online.

“Projektet kryesore kanë të bëjnë me energjinë me ujërat, por ajo që është me rëndësi, është që kjo Qeveri ka nënshkruar dy marrëveshje njëra për qasjen e fshatrave në rrjetin e ujësjellësit dhe për digjitalizimin e vendit me fibër optik që i mundëson qasjen në internet më të shpejtë”.

“Janë tepër me rëndësi edhe trajtimi i ujërave të zeza. Po ashtu, edhe për minierën e cila është shumë me rëndësi, por e ka edhe pjesën e ambientit për të cilën duhet të kujdesemi”, tha Lluka.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha se nga takimi është parë një gatishmëri e të gjitha palëve që projektet që kanë ngecur të shtyhen përpara.

“Patëm shumë tema konkrete dhe patëm për zotim që disa çështje që kanë ngecë në kohë të caktuar të shtyjmë përpara. Diskutuam se do të shfrytëzojmë këto mundësi. Kishim gatishmëri që bashkërisht të shkojmë tutje është çështja e qasjes në ujësjellës. Çështje tjetër është energjia efiçiente në ndriçimin publik”.

“Morëm përkrahje për mbështetje qoftë në Qeveri, qoftë në Parlament që këto projekte të shtyhen përpara”.

Ndërsa, Islam Pacolli, kreut të Kamenicës, i premtoi mbështetjen e ministrive, të cilat udhëhiqen nga Aleanca për Kosovën e Re (AKR).

Ministri Lluka gjatë ditës do të vizitojë edhe projektin energjetik në fshatin Kikë si dhe do të vizitojë minierën e Artanës, me ç’rast do të takohet me menaxhmentin dhe minatorët, raporton EO.

Të ngjashme