Lluka: Prodhuesi vendës “Jaha Solar” model i suksesit në Kosovë

Prishtinë | 14 Gus 2019 | 15:52 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, së bashku me Ministrin e Inovacionit, Muzafer Shala dhe Zv/ Ministrin e Zhvillimit Ekonomik Sami Zeka kanë vizituar sot fabrikën e prodhimit të paneleve fotovoltaike solare “Jaha Solar” në Fushë Kosovë, ku u priten nga aksionari i kompanisë Fadil Hoxha dhe Drejtori Ekzekutiv Trim Tërnava.

Gjatë vizitës në ambientet prodhuese të fabrikës, Ministri Lluka është njoftuar me investimet e fundit në linjën e prodhimit dhe teknologjisë më të avancuar, duke dyfishuar tashmë prodhimin, investim ky i cili është realizuar nga “Jaha Solar” me partnerët gjerman.

Rritja e prodhimit e cila është e destinuar për eksport në vendet evropiane ka rezultuar edhe me rritjen e numrit të punëtorëve në fabrikë ku aktualisht ka rreth 80 punëtor.

Ministri Lluka theksoi edhe njëherë zotimin e tij dhe të ministrisë të cilën drejton për përkrahjen e prodhuesve vendor, me theks të veçantë investitorëve në fushën e energjisë së ripërtërishme, duke krijuar kështu më shumë mundësi në drejtim të rritjes së prodhimit dhe eksportit e cila rrjedhimisht do të krijoj edhe gjenerim të vendeve të reja të punës për të rinjtë tanë.

Gjithashtu, gjatë vizitës në fabrikë, ministri Lluka përveç tjerash shprehu gatishmërinë që së bashku me Ministrin e Inovacionit të angazhohen drejt krijimit të “Qendrës për Hulumtim dhe Zhvillim për Energji të Ripërtërishme” e cila do të shfrytëzohej nga universitetet publike dhe private në bashkëpunim me sektorin privat.

Ndërsa, Ministri Shala tha: “Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të angazhohet maksimalisht në rritjen e konkurrueshmërisë dhe kapaciteteve prodhuese, si dhe rritjen e potencialit për eksport dhe mbështetje në ballafaqimin me presionin e tregjeve te huaja”.

Investimi në fabrikën “Jaha Solar” është investim i cili vjen direkt nga diaspora jonë në Gjermani, pasi që z. Hoxha ka jetuar dhe vepruar për 27 vite në Gjermani, duke punuar në fusha të ndryshme të prodhimit dhe i cili u kthye për të investuar në Kosovë dhe se sot z. Hoxha përveç investimit në fabrikën e prodhimit të paneleve solare, sektor ky në të cilin është lider në Evropë, ai poashtu ka investuar edhe në fushën e ndërtimtarisë dhe ushqimit.

Të ngjashme