Lluka: Sektori i energjisë parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik

Prishtinë | 24 Tet 2017 | 15:57 | Nga

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka shpalosur politikat e ministrisë që drejton, me theks të veçantë për sektorin e energjisë, gjatë një ligjërate që ka mbajtur sot para studentëve dhe profesorëve të RIT-Kosovo-AUK në Prishtinë, ku ka vlerësuar se zhvillimi i energjisë është parakusht për zhvillimin ekonomik të vendit.

Me këtë rast Ministri Lluka tha se Strategjia e Energjisë e Kosovës 2017-2026 përcakton objektivat themelore të Qeverisë së Kosovës në zhvillimin e sektorit të energjisë, duke marrë parasysh:Zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik,mbrojtjen e mjedisit,furnizimi i qëndrueshëm dhe i besueshëm me energji për konsumatorët,përdorimi efikas i energjisë,zhvillimi i kapaciteteve gjeneruese të reja konvencionale dhe të rinovueshme,krijimi i një tregu konkurrues,zhvillimi i sistemit të gazit, dhe krijimi i vendeve të reja të punës në sektorin e energjisë.

Duke folur për gjendjen aktuale në këtë sektor, ministri i MZHE-së vuri në pah se gjatë 30 viteve të fundit në vend nuk ka pasur ndërtim të kapaciteteve të reja të gjenerimit të energjisë elektrike dhe se shumica e njësive të termocentraleve janë në fund të jetës së tyre. Ndërkaq, rritja e kërkesës është mbuluar nga importet.

“Sipas studimit të USAID rreth 300 milionë euro në vit është kostoja e humbjes për sektorin privat për shkak të furnizimit të paqëndrueshëm të energjisë elektrike (studimi i USAID-it). Ndërsa nga viti 2000 deri në vitin 2015 janë shpenzuar 538.25 milionë euro për importet e energjisë elektrike”, tha Lluka.

Përkundër përmirësimeve në vitet e fundit, ministri theksoi se humbjet teknike dhe komerciale në vitin 2015 ishin 31.8%, humbjet nga veriu i Mitrovicës janë rreth 5%, derisa inkasimi i energjisë së faturuar është 97% (duke mos përfshirë veriun e Mitrovicës)

Më tej, Ministri u ndal te bashkëpunimi rajonal në sektorin e energjisë, ku potencoi veprimet konkrete për krijimin e tregut të përbashkët të Energjisë Kosovës-Shqipëri dhe pjesëmarrjen e Kosovës në bursën shqiptare të energjisë, problemet e KOSTT në funksionalizmin e intekoneksionit 400kV me Shqipërinë, si pasojë e problemeve politike me Serbinë, gjë që po i shkaktojnë humbje shtesë prej 15 milionë euro këtij operatori.

Gjithashtu, gjatë kësaj ligjërate Ministri Lluka foli edhe për projektet për zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, efiçiencën e energjisë dhe sektorin e ujërave, të cilat ndikojnë direkt në cilësinë e jetës së qytetarëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme