Lluka tregon pse s’shkoi për raportim në komision: “Trepça” është në rrugë për t’u finalizuar

Prishtinë | 14 Nën 2018 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka dhënë arsyen pse nuk shkoi në komisionin parlamentar për raportim në lidhje me ndërmarrjen “Trepça”.

Lluka ka thënë se mbledhja e komisionit ishte planifikuar që të mbahet dje, por që është shtyrë për sot. Sipas tij, ai ka njoftuar anëtarët e komisionit se sot nuk mund të raportojë për shkak se kishte planifikuar që të vizitojë komunë e Gjilanit dhe atë të Kamenicës.

Por kreu i MZhE thotë se është i gatshëm çdo herë që të raportojë në lidhje me temat që ai mbulon, duke shtuar se “Trepça” është në rrugë për t’u finalizuar.

Postimi i plotë i Llukës në Facebook:

Sa për korrektësi dhe informim të drejtë, mbledhja e komisionit për Trepçën ishte përcaktuar për dje (të Martën) në ora 11, gjë që e kisha konfirmuar dhe isha i gatshëm të raportoj për Trepçën, siç kam qenë i gatshëm për çdo temë që mbuloj. Komisioni me ka lajmëruar që mbledhja anulohet dhe ka kërkuar që takimi të bëhet për sot.

Unë, menjëherë i kam lajmëruar që nuk më përshtatet për sot për arsye të planifikimit të mëhershëm të agjendës që ishte vizita në Gjilan dhe Dardanë, ku takova kryetarët e këtyre dy komunave dhe vizitova Ndërmarrjen Publike Hidromorava.

Është jo e saktë të proreklamohet se kam refuzuar raportimin pranë komisionit. Jam i gatshëm për secilin sektor që mbulojë të raportoj e të mbahem përgjegjës sot e çdo ditë. Megjithatë, qytetarët duhet të dinë të vërtetën dhe pamundësinë e komisionit për të organizuar mbledhje në përputhje me agjendën e të gjithëve.

Trepça është në rrugë për t’u finalizuar!

Kuvendi është përgjegjës për të miratuar statutin sipas ligjit për Trepçën, duke i përfshirë edhe komentet dhe sugjerimet e grupeve punuese të cilat janë themeluar nga Qeveria e Kosovës pas konsultimeve edhe me Kuvendin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme