Lluka: Trepça rimëkëmbet me futjen e kapitalit privat

Prishtinë | 06 Sht 2019 | 21:29 | Nga Ekonomia Online

Valdrin Lluka nga koalicioni Nisma-AKR-PD, ministër në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, deklaroi se mënyra e vetme e rimëkëmbjes së Trepçës është futja e kapitalit privat.

“E vetmja formë e rimëkëmbjes së Trepçës është thithja e investitorëve të huaj. Ajo mund të bëhet kur qeveria mund të qëndrojë aksionarë me punëtorët e jo ta marrë shumicën e aksioneve”.

“Para se të shkohet me privatizim duhet të bëhet vlerësimi i aseteve dhe riverifikimi. Identifikimi i rezervave të reja në zonat e Trepçës – dihet përafërsisht se çfarë ka mirëpo të shihet me saktësi. Pastaj shkundjet e thella, ku me teknologjitë e reja është mundësuar të merren edhe më tepër minerale në zona më të thella”.

Lluka shtoi se përmes përfshirjes së kapitalit privat mundësohet përpunimi të bëhet në vend, që sipas tij, jo vetëm që e rritë nivelin e eksportit por edhe punësimin në vend.

Ai në Zona Zgjedhore të Klan Kosovës gjithashtu diskutoi edhe për Statutin e Trepçës.

“Në versionin e parë nuk janë parapara disa benefite sociale dhe gjithashtu nuk ka informacione për disa asete, sidomos ne pjesën veriore”.

“Ne si ministri me sindikatën kemi bërë një marrëveshje. Asetet i kemi fut në statutin final kurse për pjesën e benefitetve jemi marrë vesh që të shkohet me ligj të veçantë. Kemi vlerësuar se beneficionet nuk mund të futen, jo vetëm se nuk e kanë vendin aty por do t’i pengonte tërheqjen e investitorëve potencial”.

Të ngjashme