Lluka zyrtarisht në Varshavë, si ministri i parë i Kosovës që ka vizituar ndonjëherë Poloninë

Prishtinë | 26 Kor 2018 | 11:38 | Nga

 Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka po qëndron në Varshavë, i ftuar nga ministrja e Sipërmarrjes dhe Teknologjisë, Jadviga Emilewitz, ku Lluka i bënë thirrje biznesit polak që të kthejë sytë nga Kosova.

“Polonia, ndërmarrësia polake është e interesuar për Ballkanin dhe në veçanti për Kosovën. Ne marrim kryesimin e radhës së Bashkimit Evropian dhe Ballkani është njëri nga prioritetet tona»”,  i tha ministrja e sipërmarrjes dhe teknologjisë së Republikës së Polonisë, JadvigaEmilewitz, ministrit të zhvillimit ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka, gjatë vizitës së tij në kryeqytetin polak.

Kjo është vizita e parë zyrtare e një ministri kosovar në njërin nga shtetet më të mëdha të Bashkimit Evropian. Ministri Lluka, e njohu anëtaren e qeverisë polake, që shoqërohej nga një grup drejtuesish agjencish shtetërore të nxitjes dhe garantimit të investimeve, si dhe të disa bankave, me zhvillimet në ekonominë kosovare dhe përparësitë që i ofron vendi investitorëve të huaj.

Ministri Lluka po ashtu e njohu me disa prej proceseve ku ka hyrë sektori minerar dhe energjetik, si dhe veçoi sektorin e informacionit dhe teknologjisë si një sektor tërheqës për investitorët polakë dhe ata evropianë në përgjithësi.

“Kosova është treg i vogël, por shumë kompani të huaja po vendosen tek ne, duke synuar tregun evropian dhe duke shfrytëzuar lehtësitë për të bërë biznes”, tha ai.

Polonia është vend i zhvilluar ekonomikisht, lider botëror në ofrimin e shërbimeve teknologjike dhe shquhet si një nga vendet kryesore në eksportin e këtyre shërbimeve, model për të cilin Ministri Lluka është i fokusuar që të ndiqet edhe nga Qeveria e Kosovës si dhe bizneset kosovare.

Dy ministrat ranë dakord për të organizuar shumë shpejt një forum biznesi të fokusuar në disa sektorë me prioritet. Po ashtu ministri Lluka i kërkoi Polonisë të dërgojë një grup ekspertësh të cilët do të ndihmojnë sektorë të caktuar për zhvillim tutje, kërkesë që u konsiderua nga mikpritësja polake.

Gjithashtu të dy ministrat e konsideruan si prioritarefirmosjen e një marrëveshje për mbrojtjen e investimeve, si kuadër ligjor që do të inkurajonte ardhjen e biznesit polak në vend. Polonia është njëri nga vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, i cili në Kosovë ka një kontingjent ushtarak dhe policor në kuadër të KFOR dhe EULEX.

Brenda pak muajsh, qeveria e Kosovës ka intensifikuar kontaktet me qeverinë polake. Kështu ministri i jashtëm, BehgjetPacolli ka takuar dy herë homologun e tij polak JacekCaputowitz, i cili shumë shpejt pritet të vizitojë Kosovën me ftesë të shefit të diplomacisë kosovare.

Vizita e ministrit Lluka në Poloni, si mysafir i qeverisë polake vijon me takime të tjera me zyrtarë të lartë të këtij shteti, organizatat më të mëdha të biznesit, si dhe sipërmarrje me interes për Kosovën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme