Lufta tregtare tkurr eksportet dhe importet kineze

Prishtinë | 15 Tet 2019 | 09:09 | Nga Ekonomia Online

Tregtia kineze është përkeqësuar përsëri, ndërkohë që rënia e eksporteve ka marrë vrull në muajin shtator dhe importet janë tkurrur për të pesti muaj radhazi. Të dhënat tregojnë për një ngadalësim të ekonomisë nga lufta tregtare dhe nevojën e stimujve.

Analistët thonë rimëkëmbja e tregtisë kineze është e largët për shkak të ngadalësimit ekonomik botëror, pavarësisht se marrëdhënia tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë po zbutet.

Presidenti amerikan Donald Trump lajmëroi javën e kaluar fazën e parë të një marrëveshjeje për të përfunduar luftën tregtare me Kinën dhe pezulloi planin e rritjes së tarifave më 15 tetor.

Megjithatë, tarifat ekzistuese janë ende të aplikuara dhe të dyja palët duhet të bashkëpunojnë më shumë për të arritur në një pajtueshmëri. Eksportet kineze për muajin shtator ranë me 3.2 për qind me bazë vjetore, që është rënia më e madhe që prej muajit shkurt, përcjell Scan.

Shumë firma kineze kishin rritur ndjeshëm dërgesën e mallrave drejt Shteteve të Bashkuara përpara muajit shtatorit, prej shqetësimeve për rritjen e tarifave. Importet për këtë muaj ranë me 8.5 për qind, që është norma më e ulët që prej muajit gusht.

Disa sektorë kanë qëndruar të paprekur, ku importet e metaleve industriale, përfshirë çelikun dhe bakrin, u rritën gjatë muajit shtator. Kina raportoi një suficit tregtar prej 39.65 miliardë dollarë në këtë muaj, krahasuar me 34.8 miliardë që ishte treguesi për muajin gusht.

Me Shtetet e Bashkuara, suficiti rezultoi në 25.8 miliardë dollarë, duke u tkurr nga thuajse 30 miliardë dollarë që ishte në muajin gusht. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme