Luksemburgu do të përkrahë Kosovën me 30 milionë euro

Prishtinë | 28 Sht 2017 | 10:32 | Nga

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha u takua me udhëheqësen e Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, Anne Dostert, ku është diskutuar për bashkëpunimin në kuadër të procesit të integrimit evropian të Kosovës, me theks të veçantë në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, liberalizimin e vizave dhe qasjen e Kosovës në Programet e BE-së.

Sipas MIE-së, Hoxha dhe Dostert diskutuan për zbatimin e asistencës së Luksemburgut në Kosovë.

“Luksemburgu është duke përkrahur institucionet e Kosovës në arsim, shëndetësi dhe sektorin e ujërave. Janë duke u zbatuar projekte në këta sektorë në vlerë prej 22.5 milionë eurove, ndërsa gjatë periudhës 2017-2020 do të fillojnë edhe projekte të tjera në vlerë 30 milionë euro”, thuhet në një komunikatë të MIE-së.

Me këtë rast, ministrja Hoxha, theks të veçantë vuri mbi përkrahjen e procesit të integrimit evropian për të cilën është paraparë realizimi i projektit që nëpërmjet asistencës teknike të punohet në ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e MSA-së, respektivisht nëntë kapitujve të identifikuara tani si primare.

Nga ana e saj, Dostert nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm të Luksemburgut për procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe ofroi mbështetjen e vazhdueshme në kuadër të reformave konkrete në arsim, shëndetësi dhe sektorin e ujërave.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme