Mbahet dëgjim publik për Projektligjin e Konsumatorëve, synohet rritja e mbrojtjes së tyre

Prishtinë | 04 Pri 2018 | 13:50 | Nga Valbona Bytyqi

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka mbajtur dëgjim publik lidhur me Projektligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Mimoza Kusari-Lila, kryesuese e grupit punues për Projektligjin për Konsumatorin, tha se ky diskutim do të ndihmojë në hartimin e këtij projektligji, raporton Ekonomia Online.

“Sot diskutmi do të bëhet i tërë në raport me nenet me dispozitat e këtij projektligji”, tha Kusari.

Pjesë e këtij diskutimi ishin përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe shoqëria civile.

Raif Preteni nga Autoriteti Rregullativ për Shërbime të Ujit propozoi në dëgjimin publik që të shtohet një paragraf që rregullon faturimin e konsumatorëve të ujit.

Ai tha se janë rreth 15 mijë konsumatorë që faturohen nga matës të përbashkët. Sipas Pretenit, faturimi nga matës individualë do të mundësonte në faturimin sa më të drejtë të konsumatorëve.

Ndërsa Dren Ajeti nga Klubi i Prodhuesve, propozoi që Projektligji për Konsumatorët ta detyrojë shitësin që përmes një etikete që do të vendoset pranë çmimit të ndihmojë në njoftimin e blerësve rreth origjinës së produktit.

“Propozoj që në Projektligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të përfshihet një dispozitë ligjore që t’i shtohet në paragraf. Shitësi detyrohet që ta tregojë origjinën e produktit përmes vendosjes së një etikete. Konsumatori e gëzon të drejtën e informimit për prejardhjen e produktit”, tha Ajeti.

Ndërsa Berat Thaqi nga instituti Gap ngriti shqetësimin për kundërshtimet e ligjeve ekzistuese me aktet nënligjore që miratohen nga ministritë të cilat shpeshherë sipas Thaqit po shkelin të drejtat e konsumatorit.

“Aktet nënligjore të miratohen nga ministritë. Ne konsiderojmë që është me rëndësi që të krijohet një nen që i detyron të gjitha institucionet publike që nëse e marrin një veprim që ka të bëjë me konsumatorët të konsultojmë departamentin përkatës në Ministrinë e Tregtisë”.

Të ngjashme