Mbahet panairi i ndërmarrësisë, promovohen produktet që vijnë nga ndërmarrjet sociale në Kosovë

Prishtinë | 13 Nën 2018 | 14:40 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ka filluar edicioni i parë i javës së ndërmarrësisë sociale në Kosovë dhe pjesë e aktiviteteve të kësaj jave është edhe panairi i cili synon promovimin e produkteve dhe shërbimeve që vijnë nga ndërmarrjet sociale në Kosovë.

Ky panair u mundëson ndërmarrjeve sociale t’i zgjerojnë mundësitë e tyre në treg dhe ka qëllim vetëdijesimin e shoqërisë mbi rëndësinë e blerjes së produkteve dhe shërbimeve të këtyre ndërmarrjeve.

Organizata “Lens”, me përkrahje nga projekti Helvetas – Enhancing Youth Employment, gjatë vitit 2017 ka realizuar një hulumtim për ta analizuar zhvillimin e ndërmarrjeve sociale në Kosovë dhe ta kuptojë potencialin e rritjes së këtij lloji të ndërmarrjes në tregun kosovar.

Ky hulumtim ka vënë në pah nevojën që ndërmarrjet sociale në Kosovë kanë për mbështetje në rritjen e kapaciteteve të tyre menaxhuese në mënyrë që të rrisin konkurrueshmërinë e tyre në treg.

Valmir Xhemajli nga kjo organizatë tha se ky aktivitet ndihmon ndërmarrjet sociale t’i promovojnë produktet dhe shërbimet e tyre dhe të jenë sa më afër shoqërisë, raporton Ekonomia Online.

Ky panair po mbahet për hatër të Javës së ndërmarrësisë sociale. Ideja ka ardhë pasi që Lens e ka një program të saj pasi që ka punu me ndërmarrje sociale, me qëllim që me i ngritë kapacitetet e tyne  që këto ndërmarrje ta kenë mundësinë të konkurojnë në treg. Kemi punu rreth një vit me këto ndërmarrje, dhe tash e kemi organizu panairin. Panairi është pritë shumë mirë sidomos prej ndërmarrësve socialë sepse, përmes tij, ata kanë pasë mundësinë të dalin dhe ta njohin njëri-tjetrin”.

“Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe shoqata Down Syndrome Kosova me mision promovimin, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me Sindromën Down në Kosovë dhe familjarëve të tyre. Ata krijuan një program për aftësimin profesional dhe përgatitjen për jetë të pavarur për personat e prekur nga sindroma Down”.

“Ata po prezantojnë programin e tyre në kuadër të javës së ndërmarrësisë sociale me disa produkte shumë unike, si mjalta, dekorimim me qirinj si dhe punimet e kartolinave. Ajo e cila e bën të veçantë këtë program është se të gjitha këto punohen nga vetë fëmijët me Down Sindrom”.

Roland Sylejmani, nga Down Syndrome Kosova, tregoi se në kuadër të kësaj shoqe prodhohet një lloj mjalti, xhemi dhe përgatiten kartolina të bëra me dorë.

“Në kuadër të Down Sindrom Kosovës kemi programin e prodhimit, ku ne prodhojmë mjaltë, xhem dhe kartolina. Programi është i përqendruar ta ngritë autonominë e personave me Sindromën Down. Të gjitha produktet e Down Sindrom Kosovës përgatiten nga personat me Down Sindromën, të mbështetur nga punëtorët socialë”.

Dile Prekpalaj, kryetare e shoqatës fermere “Krusha e Vogël”, tha se e kanë mirëpritur këtë panair.

“Ky aktivitet është i mirëpritur për organizatën tonë, pasi që ne që nga viti 2002 jemi formu, dhe kemi mbi 80 gra në këtë shoqatë të cilave iu ndihmojmë. Këto aktivitete na ndihmojnë për vetë qëndrueshmërinë dhe ndërmarrësinë sociale”.

Fatbardh Kabashi nga shoqata “Wooden Eyes”, sqaroi artin që quhet “String Art”.

“Ne bëjmë këtë art i cili quhet String Art, ku përmes këtyre shitjeve, ne i ndihmojmë personat e verbër dhe shoqatën e personave të verbër në Rahovec. Deri tash kemi arritë të mbledhim fonde të mjaftueshme nga shitja e produkteve tona, që të financojmë kurse në trajnimin e personave të verbër”.

“Ky panair na ndihmon shumë pasi që kemi nevojë dhe do ishte mirë që këto lloj aktivitete të shpeshtoheshin që edhe ne të kemi mundësinë ta promovojmë punën tonë para publikut”.

 

Të ngjashme