Mbi 210 milionë euro investime në hekurudhë, Kosova po futet në hartën e investitorëve të huaj

Prishtinë | 11 Jan 2021 | 12:45 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri në detyrë, i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se stacioni i trenit në Fushë Kosovë, do të kthehet në një stacion model në Fushë Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Hoti këto komente i ka bërë gjatë vizitës së lidhjes hekurudhore 10 në stacionin e trenit në Fushë Kosovë, bashkë me ministrinë në detyrë të Infrastrukturës, Arban Abrashin dhe shefin e BE-së, Tomas Szunyog.

“Krejt kjo ndërtesë dhe ky stacion duhet të kthehet në një ndërtesë e stacion treni ndërlidhës modern, gjithsesi, një stacion treni ndërlidhës nga Greqia, Maqedonia, nëpër Evropën Qendrore, siç ka qenë më herët, por tani me kushte shumë më moderne. E kam parasysh sa kompleks është por mbas informative që mora është bërë progres bukur shumë në segmentin e parë, tash në segmentin e dytë besoj fillojmë shpejtë dhe ngadalë Kosova po shndërrohet në një qendër ndërlidhëse edhe të autostradave edhe të hekurudhave, dhe kur ky stacion treni mandej lidhjet në vitet e ardhshme edhe më portin e Adriatikut pa dyshim që e rritë vlerën e Kosovës si qendër ndërlidhëse për regjionin dhe përtej”, tha ai.

Ndërsa, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se përmirësimi i infrastrukturës është element kyç i politikës së Bashkimit Evropian.

“Në Kosovë jemi duke mbështetur dy projekte kyçe, njëra është linja hekurudhore numër 10, e cila lidhë Serbinë, Kosovën, dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa projekti i dytë është autostrada që lidhë Prishtinën me Nishin. Këto dy projekte jemi duke i mbështetur me 130 milion euro, mirëpo në kuadër të këtij plani evropian të investimit, ka edhe projekte të tjera që do të realizohen në të ardhmen. Ne mendojmë se është i rëndësishëm implementimi i planeve për të cilat janë dakorduar ministrat e transportit në tetorin e vitit të kaluar, për të përmirësuar sigurinë në transport, por edhe për të përmirësuar lidhjen brenda rajonit, por edhe lidhjen e rajonit me Bashkimin Evropian”, tha ai.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi tha se investimet që po i bënë Qeveria e Kosovës përmes fondeve të BE-së për përmirësimin e infrastrukturës hekurudhore mbajnë vlerën mbi 250 milionë euro.

“Për Republikën e Kosovës është shumë e rëndësishme që po kompletohet infrastruktura rrugore dhe hekurudhore, duke bërë kështu që vendi ynë të futet në hartën e investitorëve potencial duke kontribuar në zhvillimin ekonomik, por edhe qarkullimin e mallrave”, tha Abrashi.

Ndërsa sekretari i përhershëm i Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjsek tha se ky projekt është i rëndësishëm për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe Evropën.

“Rrugë më të sigurta; koha e reduktuar e pritjes në pikat kufitare; hekurudhë e besueshme dhe moderne; dhe rrugët e së ardhmes me elementë të integruar jeshilë dhe dixhitalë. Gjatë vizitës zyrtare të sotme në Kosovë, ne gjithashtu do të bëjmë ndalesa në auto-udhët e Kosovës  për të nxjerrë në pah rëndësinë e kontrolleve anësore të rrugës për sigurinë e përgjithshme të trafikut dhe në hekurudha, ku hekurudha moderne po rindërtohet falë financimit të BE-së”, tha Zakonjsek.

Ai shtoi se Planet e Veprimit të Komunitetit të Transportit janë në përputhje me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, i cili parashikon investime të BE-së në projektet e transportit dhe lidhjes që do të kontribuojnë në integrimin e mëtejshëm në rajon dhe lidhje më të mira me BE-në.

Gjatë kësaj punëtorë, u zhvillua edhe një vizitë në Hekurudhat e Kosovës, bashkë me kryeministrin, Avdullah Hoti, ku po zhvillohen punimet në modernizimin e hekurudhës 10, nga Hani i Elezit deri në Fushë-Kosovë, që është pjesa e parë e rehabilitimit.

Ky investim parasheh modernizimin e hekurudhës deri në Leshak të Mitrovicës, ku vlera e projektit kalon shifrën e 210 milionë eurove.

Ministri Abrashi tha se faza e dytë e rehabilitimin të hekurudhës fillon këtë vit dhe fazë e tretë deri në kufi me Serbinë.

“Investimet që po i bënë Qeveria e Kosovës po e  kthejmë Kosovën në udhëkryq të transportit të mallrave dhe njerëzve dhe në hartën e investimeve të huaja”, tha Abrashi.

Të ngjashme