Mbi 23 mijë franga u mblodhën në mbrëmjen bamirësie “Shpëto Jetë” në Cyrih

Prishtinë | 08 Maj 2022 | 16:14 | Nga Ekonomia Online

Për të katërtën herë rradhazi u mbajt mbrëmja bamirëse “Shpëto Jetë” në Cyrih, mbrëmje kjo e cila u organizua nga organizata Aksioni për Nëna dhe Fëmijë me qëllimin e ngritjes së fondeve të cilat do të destinohen për blerjen e pajisjeve mjekësore dhe medikamenteve për nënat dhe fëmijët në Kosovë.

Në këtë mbrëmje bamirëse e cila u shoqërua me darkë dhe muzikë nga bendi i njohur nga Kosova “Don’t listen to your neighbors”, ishin të pranishëm shumë personalitete të shquara nga fusha e shëndetësisë, artit dhe përfaqësues të kompanive dhe bizneseve të ndryshme shqiptare të cilët dhanë kontributin e tyre duke dhuruar fonde për të ndihmuar dhe mbështetur programet e AMC-së.

Drejtori Ekzekutiv i AMC-së z. Vlorian Molliqaj, falënderoi të pranishmit për mbështetjen e vazhdueshme dhe foli për rolin e mërgatës në ndryshime rrënjësore përmes filantropisë, duke u fokusuar në sistemin shëndetësor në vend. “Ne në AMC besojmë që duhet zgjidhur problemin në rrënjë. Ne besojmë që duhet ta forcojmë sistemin shëndetësor. Sepse me një sistem shëndetësor ku nuk mungojnë pajisjet mjekësore e barnat esenciale, e ku kapacitetet e punonjësve shëndetësor ngriten vazhdimisht, do të mund të trajtohet secili fëmijë e secila grua. Pavarësisht kushteve ekonomike e sociale. Pavarësisht se a jeton në fshat apo ne qytet.” u shpreh z. Molliqaj në fjalën e tij.

Prof. Dr. Omer Dzemali, në një fjalim rasti foli për angazhimin e AMC-së duke çmuar lartë punën e palodhshme dhe duke bërë thirrje që sa më shumë të ndihmohet misioni i AMC-së.

Ngjarja bamirëse “Shpëto Jetë” edicioni i 4-të, e cila u mbajt në qytetin e bukur të Cyrihut, nuk do të ishte e mundur pa sponzorët të cilët na mbështetën për realizimin e kësaj ngjarje: Lika Group Ag – Sponzor i artë, Swiss Management – Sponzor i Artë, Neumarktpraxis – Sponzor i Bronztë, Reci IT Solution – Sponzor i Bronztë, Aeg Montage – Sponzor i Bronztë, Rromir Imami (rrimphoto) Sponzor i Argjendtë, Milky Way Creative – Sponzori  Arg, Aubrey Restaurant – Sponzor i Bronztë, Eurokoha Sponzor i Bronztë, si dhe plartforma shqiptare në Zvicër Albinfo.ch të cilët na mbështetën si Sponzor Medial.

Pjesë e ngjarjes bamirëse ishte edhe një ankand i qetë me punime të dhuruara nga artistët shqiptarë si: aksesorë nga Arlinda Zylalli, Rromir Imami (rrimphoto), punime argjile nga Dhe by Granita, aksesorë nga Luan Kotori, aksesorë nga Adelina Veseli, dhe fustana nga dizajnerët Fjolla Nila, Valdrin Sahiti dhe Blerina Kllokoqi Rugova.

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë angazhohet për shëndet më të mirë të nënave dhe fëmijëve në Kosovë. Misioni I AMC-së është shpëtimi i jetëve dhë përmirësimi i shëndetit të foshnjëve, nënave dhe fëmijëve në Republikën e Kosovës. Për ta arritur misionin e saj, AMC zbaton projekte dhe programe të ndryshme të cilat kanë ndikim të madh dhe të qëndrueshëm në sistemin shëndetësor dhe ofrojnë zgjidhje afatgjata.

Të ngjashme