Mbi 400 milionë € mallra të shkëmbyera Kosovë-Shqipëri, Minxhozi bën thirrje për bashkëpunim rajonal

Prishtinë | 24 Pri 2022 | 09:17 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi tha se vitin e kaluar shkëmbimi i mallrave ndërmjet të dy vendeve ka arritur shifrën e 400 milionë eurove.

Ambasadori në një intervistë për Ekonomia Online sqaroi se kjo shifër ka shënuar rritjet të konsiderueshme, krahasuar me vitin 2016 kur ishin vetëm 160 milionë euro mallra të shkëmbyera.

“Ne duhet të kemi parasysh se sa i përket Ekonomisë ne kemi shifra në rritje. Midis Shqipërisë dhe Kosovës tashmë shkëmbehen mbi 400 milionë euro mallra”.

“Është një shifër që na jep dëshirën për të kapërcyer disa vështirësi që ekzistojnë. Krahasuar me vitin 2016 kemi afërsisht trefish më tepër. Nga 160 milionë në 430 milionë gjatë vitit që e lamë pas”.

Minxhozi kur foli për iniciativën “Open Ballkan”, tha se është i nevojshëm bashkëpunimi rajonal sidomos pas luftës në Ukrainë, ngase sipas tij, tani është krijuar një situatë e re në Ballkanin Perëndimor.

“Kemi iniciativa të tjera përpara në kuptimin e kësaj ne duhet të bashkëpunojmë shumë me njëri-tjetrin për sa i përket situatës së re të krijuar. Ne duhet të jemi koshient që një situatë e re e krijuar në Ukrainë patjetër që si edhe një situatë e re e krijuar në Ballkanin Perëndimor ku jetojmë prandaj është shumë me rëndësi të rrisim shkallën e bashkëpunimit sepse çdo situatë të re duhet të përdorim edhe resurse të reja”.

Tutje Minxhozi ka shtuar se Shqipëria është nxitëse në dialogun Kosovë-Serbi dhe është këmbëngulëse që ky proces t’i shërbejë paqes në rajon.

“Ne nxisim që dialogu Kosovë-Serbi të bëhet sa më parë. Është shumë e rëndësishme që palët duhet të dakordohen në vija të përgjithshme se ku duhet të arrijnë. Është një proces i gjatë, nuk është një proces i lehtë, por ajo që Shqipëria këmbëngul është që ky proces duhet të fillojë. Dhe ky presion duhet të jetë jo vetëm mbi Kosovën, por edhe mbi Serbinë në mënyrë që të na japin një produkt që do i shërbejë paqes dhe stabilitetit në rajon”.

Përderisa ka bërë të dutur se Kosova dhe Shqipëria qëndrojnë mirë në zbatimin e marrëveshjeve në mbledhjen e mbajtur vitin e kaluar në Elbasan, raporton EO.

Në një intervistë për Ekonomia Online ai përmendi tri marrëveshjet që po zbatohen.

“Kemi një situatë shumë të mirë lidhur me zbatimin e marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës në mbledhjen e mbajtur vitin e kaluar në Elbasan. Janë tre marrëveshje, e para që kanë të bëjnë me leje të qëndrimit të shtetasve të Shqipërisë dhe të Kosovës duke hequr ato burokracitë e mëparshme për të fituar një leje qëndrimi pavarësisht se mund të kishe një leje pune, kjo tashmë është e liberalizuar. E dyta Liberalizimi i regjimit kufitar midis Shqipërisë dhe Kosovës në pjesën e Dragashit dhe Shishtavecit, shtetasit e dy vendeve lëvizin shumë më lirshëm, nuk do të kenë më kontrolle të dyfishta në kufi”.

“E treta që është po kaq e rëndësishme është hapësira prej 30 kilometra mes Shqipërisë dhe Kosovës qytetarët do lëvizin thjesht me një ID kartë që mund vetëm të thonë se janë qytetarë të brezit kufitar dhe do kenë shumë lehtësira në kalimin e dyanshëm të kufirit. Njohja e lejeve të periudhës së punës si në Shqipëri edhe në Kosovë për njohjen e pensioneve të ndërsjellët”.

Të ngjashme