Më datat 5 dhe 6 maj 2022 në Prishtinë, do të mbahet Panairi i Turizmit dhe Sportit

Prishtinë | 04 Maj 2022 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Këtë vit do të mbahet edicioni i 18-të i këtij panairi.

Hapja solemne e këtij panairi do të bëhet më datë 5 maj, në ora 11 në Pallatin e Rinisë në kryeqytet.

Të ftuar në cilësinë e folësve janë: Kryeministri Albin Kurti, Hajrullah Çeku, ministër i Kulturës, Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Përparim Rama, kryetar i komunës së Prishtinës, Ismet Krasniqi, kryetari i KOK, Hysen Sogojeva, kryetari i OHTK, Gëzim Hajdinaga, drejtor i agjencisë së Turizmit në Ulqin.

Ky panair mbledhë në Prishtinë tash e 18 vite akterët kryesorë të turizmit nga katër vendet e Ballkanit, si: Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria e Mali i Zi.

Ndërsa këtë vit, organizatorët thonë se kanë oferta edhe nga Greqia, Turqia dhe një prezantim grupor të bizneseve nga regjioni i Puglias së Italisë.

Panairit të Turizmit para 4 viteve i është shtuar edhe sektori i sportit, pasi sporti në vete  cilësohet edhe turizëm, ku një pjesë e madhe e kompanive turistike vendore janë rritur falë rritjes së aktiviteteve sportive në vend.

Këtë vit, kompania Congress & Event Organization (CEO) njofton se ka bërë një memorandum bashkëpunimi me Odën e Hotelerisë së Kosovës për t’iu ofruar mundësi promovimi të gjithë anëtarëve të kësaj Ode.  Në këtë edicion, sipas njoftimit, falë këtij bashkëpunimi është arritur të grumbullohen mbi 20 anëtarë të OHKT-së si pjesëmarrës në panair.

Gjithashtu edhe Turizmi malor (Outdoor) vitet e fundit ka pasur një rritje të konsiderueshme dhe një impakt mjaft të madh në zhvillimin e turizmit rural.

Ky lloj turizmi është duke kontribuar në futjen e Kosovës në itinerarin e guidave ndërkombëtare malore, duke ndihmuar kështu ardhjen e grupeve të turistëve ndërkombëtarë gjatë gjithë vitit. Pra në këtë panair do të mund të gjeni edhe biznese të këtij lloji duke u njoftuar me ofertat dhe aventurat turistike malore të tyre.

Një nga aktivitetet shumë atraktive që vlenë të përmendet dhe që do të zhvillohet gjatë këtij panairi, është edhe ngjitja dhe lëshimi me litarë nga çatia e Pallatit të Rinisë. Ky aktivitet do të zhvillohet me ndihmën dhe asistencën e alpinistëve profesionistë të Klubit Alpin Prishtina, alpinistë të cilët e kanë shkelur edhe majën e Everestit.

Përpos aktiviteteve që u përmendën, është duke u punuar shumë që të bëhet edhe montimi i një zip line-i, për të gjithë ata që duan ta rrisin adrenalinën dhe kënaqësinë, të cilët i ftojmë ta vizitojnë panairin me datën 05 maj në Pallatin e Rinisë. 

Të ngjashme