Megjithë vështirësitë financiare, Telekomi ekzekuton pagat me kohë

Prishtinë | 30 Sht 2020 | 13:03 | Nga Ekonomia Online

Përkundër vështirësive financiare dhe paralajmërimeve nga Z Mobile për bllokim të sërishëm të llogarive bankare, Telekomi i Kosovës ka ekzekutuar sot pagat e muajit shtator në afat rekord.

Që nga emërimi i Zeqir Kiqinës në krye të Telekomit të Kosovës, për të dytin muaj me radhë, të gjithë punonjësit e Telekomit të Kosovës kanë marrë pagat para datës 1, derisa për muaj me radhë kanë pasur vonesa të theksuara, më tepër se dyjavore.

Qeveria edhe më tutje nuk ka ndërmarrë asnjë plan konkret apo veprim që të ndihmonte rimëkëmbjen dhe shpëtonte këtë kompani nga falimentimi i mundshëm, edhe pse gjatë ditëve të fundit sindikalistët e Telekomit të Kosovës kanë intensifikuar presionin drejt Qeverisë për përmbushjen e zotimeve dhe premtimeve publike që t’i dalë në ndihmë kësaj kompanie.

“Bordi, Menaxhmenti dhe Sindikatat në javët e fundit i kanë adresuar Aksionarit, përkatësisht kryeministrit Hoti dhe ministrit Kuçi shqetësimet dhe planin për rimëkëmbjen të kompanisë, por me theks të veçantë zgjidhjen e çështjes me Z Mobile, obligimet, këto që burojnë nga vendimi i Arbitrazhit Ndërkombëtar dhe sa ma shumë që Qeveria e neglizhon këtë çështje, pasojat do të jenë të pariparueshme”, tha një burim brenda Telekomit të Kosovës.

Sipas tij, edhe ashtu Qeveria në mënyrë arbitrare, në kohën kur ministër i Financave ishte pikërisht kryeministri i tashëm, z.Hoti, ia kishte marrë 15 milionë euro Telekomit të Kosovës në emër të dividentës, derisa kompania ishte duke operuar me humbje, e që është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrje Publike.

“Nëse Qeveria nuk ndërhyn shpejt, atëherë do të vije pashmangshëm deri te falimentimi i kompanisë, e që ndoshta është qëllim i atyre që duan ta privatizojnë ose t’ia falin dikujt për borxh”, pohoi i njëjti burim.

Të ngjashme