Mehmeti: Masat e ndërmarra nga BQK u treguan efektive në ruajtjen e stabilitetit financiar për ekonominë

Prishtinë | 22 Mar 2022 | 10:36 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), ka prezantuar raportin e Tranzicionit 2021-2022. Në fjalën përshëndetëse të këtij aktiviteti, guvernatori i Bankës së Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, theksoi se masat e ndërmarra nga BQK-ja janë treguar shumë efektive në ruajtjen e stabilitetit financiar për ekonominë, raporton Ekonomia Online

Ndër të tjera, guvernatori i BQK-së, tha se këto dy vjet ishin mjaft sfiduese për sistemin financiar dhe ekonominë.

“Masat e kujdesshme të ndërmarra nga BQK-ja janë treguar shumë efektive në ruajtjen e stabilitetit financiar për ekonominë. Sektori bankar arriti të ruajë qëndrueshmëri të lartë. Aktualisht norma e kredive qëndron 2.3 për qind ndërsa norma vjetore 15.7 për qind. Vetëm gjatë vitit 2021 1.8 miliardë euro janë lëshuar kredi të reja. Në rend të parë është stabiliteti financiar”.

“Në anën tjetër jo vetëm që ka tejkaluar krizën por ka marrë rol kyç për rritjen ekonomike. Prandaj prioriteti është që bankat të ruajnë qëndrueshmërinë. Ekonomia ka shënuar rikuperim gjatë vitit 2021 me 10.5 për qind, ku ndër kontribuuesit është edhe sektori bankar. Një ekonomi që të funksionojë mirë duhet të jetë konkurrues, gjithëpërfshirës dhe e qëndrueshme. Vëmendje të veçantë raporti i kushton dixhitalizimit. BQK ka bërë hapa të rëndësishëm në liberalizimin e tregut dhe është duke punuar në draft ligjin në sistemin e pagesave”, tha Mehmeti.

Neil Teylor, Udhëheqës i Zyrës së BERZh-it, tha se vitin e kaluar kanë ndihmuar kompanitë me mbi 15 milionë euro, të ndara në 109 projekte zhvillimore.

“Njerëzit me shkathtësi digjitale e braktisin për vende tjera. Kjo është lëmi në të cilin banka duhet të përqendrohet. Në dy vjetët e fundit kemi vendosur t’u ndihmojmë kompanive, e ku kemi pasur 109 projekte zhvillimore. Tashmë po shohim kërkesë për këtë punë dhe ky trend do të vazhdojë. Bankat duhet të ecin më shpejt dhe t’u paraprijnë zhvillimeve. Me 15 milionë euro investime e kemi mbyllur vitin e kaluar”, tha ai.

Ana Kresic, ekonomiste në BERZh, tha se raporti i tranzicionit përbëhet nga dy pjesë, digjitalizimi dhe përmbledhja e zhvillimeve makroekonomike.

“Pas pandemisë kemi pasur një rritje sa i përket ekonomisë. Një trend i mirë ishte një rimëkëmbje e fuqishme me 10.5 për qind dhe ka tejkaluar pritjet tona. Rimëkëmbja vitin e kaluar ishte më e fuqishmja në Kosovë. Edhe për këtë vit prognoza është mjaft pozitive. Konkretisht pas arritjes së diasporës gjatë periudhës së verës. Eksportimi i mallrave është dyfishuar në vitin 2021”.

“Janë disa rreziqe që duhet të menaxhohen me kujdes, rrisku i parë është inflacioni. Tregjet më të prekura janë ato që kanë pjesëmarrje në shportën e mallrave. Borxhi publik në Kosovë ka qenë më i ulët e cila thekson rëndësinë e ngritjes së performancës. Ne kujdesemi për cilësinë e rritjes ekonomike. I tërë BERZh-i ngel prapa vendeve të BE-së, dhe Kosova performon pak më dobët në krahasim me regjionin”, tha ajo.

Zsoka Koczan, ekonomiste e lartë në BERZh, tha se raporti përqendrohet në ndarjen digjitale. Në njërën anë gjatë pandemisë tha se ka pasur përmirësime të mëdha në digjitalizim.

“Raporti shtjellon parakushtet dhe shkathtësitë digjitale dhe kjo ndarje digjitale përputhen me hendeqe tjera. Niveli i zhvillimit ekonomike dhe digjitalizimi janë të lidhura”, tha Koczan.

Të ngjashme