Mehmeti: Viti 2018 pozitiv për sektorin financiar, më 2019 pritet 4.2% rritje ekonomike

Prishtinë | 24 Dhj 2018 | 10:32 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se në vitin 2018, norma reale e rritjes ekonomike është 4%, përderisa në vitin 2019 rritja ekonomike pritet të arrijë në 4.2%.

Në konferencën përmbyllëse të fundvitit, guvernatori Mehmeti ka thënë se sektori bankar gjatë këtij viti u karakterizua me rritje të kreditimit, përmirësim të kushteve për qasje të sektorit privat në kredi, si dhe përforcim të mëtejmë të gjendjes së qëndrueshmërisë.

“Stabiliteti financiar në vazhdimësi ka rritur kontributin financiar në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Vlerësimet preliminare rritja ekonomike në vend është 4% ndërkaq thellimi i deficitit tregtar kanë ndikuar negativisht në ekonominë e vendit. Aspektet që kanë ndikuar pozitivisht janë rritja e remitencave, marrja e kredive nga bizneset private. Rritje të ngjashme ekonomike do të ketë edhe në vitin 2019 ku pritet të jetë 4.2%. Aktiviteti u sektorit bankar karakterizohet me rritje dhe shëndet të mirë financiare. Depozitat kanë arrit rritje mbi 6%. Norma efektive e interesit ka rënë në 6.6%. sa i përket treguesve të shëndetit financiar. Kemi vetëm 2.7% të kredive joperformuese”, tha Mehmeti, raporton Ekonomia Online.

“Kreditë e sektorit bankar arritën shumën prej 2.7 miliardë euro në tetor 2018, duke shënuar rritje vjetore prej 11.6%. Burimi kryesor i financimit të aktivitetit të sektorit bankar vazhdojnë të jenë depozitat, vlera e të cilave gjatë kësaj periudhe arriti në 3.2 miliardë euro që paraqet një rritje vjetore prej 6.9%. Normat e interesit në kredi vazhduan trendin rënës, duke zbritur në 6.6% nga 6.8% sa ishin në periudhën e njëjtë të periudhës së kaluar, gjë që tregon për lehtësim të vazhdueshëm të qasjes në financim bankar. Treguesit e shëndetit financiar vazhduan të tregojnë nivel të lartë të qëndrueshmërisë së këtij sektori në të gjitha aspektet. Vlen të theksohet posaçërisht cilësia shumë e mirë e portofolit kreditor me një normë të kredive joperformuese prej vetëm 2.7% në tetor 2018, e cila shënoi rënie të mëtutjeshme në krahasim me vitin e kaluar kur ishte 3.6%”, deklaroi guvernatori Mehmeti.

Në kuadër të faktorëve me ndikimin më të rëndësishëm në financimin e rritjes ekonomike, sipas Guvernatorit ishin përshpejtimi i rritjes së kreditimit për sektorin privat, rritja e shpenzimeve publike, si dhe rritja e remitencave të cilat deri në muajin shtator arritën vlerën 587.9 milionë euro e cila është për 6.1% më e lartë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Me zhvillime të favorshme u karakterizuan edhe sektorët tjerë përbërës të sistemit financiar. Vlera e aseteve të sektorit pensional në shtator 2018 arriti në 1.76 miliard euro, duke shënuar rritje vjetore prej 11.2%. Gjithsej vlera e shkruar e primeve nga kompanitë e sigurimeve në shtator 2018 ishte 69.1 milionë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 4.8%. Në anën tjetër, vlera e dëmeve të paguara arriti në 31.5 milionë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 8.2%. Gjithsej vlera e kredive nga institucionet mikrofinanciare deri në tetor 2018 arriti vlerën prej 177.7 milionë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 29.1%. Sidoqoftë, një rënie e normës së interesit nga niveli aktual mesatar prej 23.1% do ta bënte këtë sektor edhe më konkurrues dhe me rol më të madh në mbështetjen e ekonomisë së vendit”.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka permendur edhe rritjen e angazhimit të BQK-së në funksion të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve të shërbimeve financiare, duke i shërbyer kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë mbrojtjes së interesit të publikut, e cila do të rritet gjatë periudhave në vijim përmes programeve të edukimit financiar dhe masave korrektuese ndaj institucioneve financiare.

Në adresimin para mediave, Guvernatori Mehmeti ka përmendur harmonizimin e kornizës rregullatore me zhvillimet e fundit ndërkombëtare në këtë fushë, më konkretisht në Bashkimin Evropian, përpilimin e rregulloreve të ndryshme, ndër të cilat edhe ato që avancojnë aspekte të ndryshme të rregullativës bankare siç janë Rregullorja e SNRF 9 Instrumentet Financiare dhe Rregullorja për Kreditë Jopërformuese dhe Ristrukturimet. Ndërsa ka njoftuar edhe për angazhimin e BQK-së në rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke veçuar nënshkrimin e marrëveshjes së mirëkuptimit me Bankën Qendrore Evropiane, e cila i hap rrugë rritjes së bashkëpunimit me këtë institucion dhe sigurimi i kodit ndërkombëtar LEI për Republikën e Kosovës, e cila i mundëson Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës një trajtim të barabartë me bankat tjera qendrore në realizimin e transaksioneve financiare.

Ai shtoi se në sektorin e sigurimeve, janë rritur pagesat për dëmet. “Sa i përket sektorit të sigurimeve kemi rritje të pagesës së dëmeve, kjo ka ndikuar në rrite të përgjegjësisë se sektorëve të Sigurimeve ndaj të siguruarve. BQK me gjitha kapacitet e saj ka vazhduar të jetë mbështetës i zhvillimit të institucioneve financiare me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve”, u shpreh Mehmeti.

“Një vëmendje të veçantë do ti kushtohet rritja e aktivitetit për mbrojtje të konsumatorëve”.

Kreu i BQK-së foli edhe lidhur me grabitjen e bankave, një dukuri e shpeshtuar kohët e fundit. Ai e pranoi se kjo ndikon negativisht ne ardhjen e investitorëve të huaj.

“Sektori i sigurimeve me vite ka pas një brishtësi dhe na ka detyruar të marrim masa ndaj këtij sektori. Plaçkitja e bankave është dukuri që është rritur dhe është shumë shqetësuese sepse përveç që i shkakton humbje bankave i shkakton edhe buxhetit të Kosovës sepse i largon investimet e huaja. Ne kemi marr masa për parandalimin e këtyre thyerjeve”

Në fund të konferencës u shpallën tri punimet fituese të çmimit “Ekonomisti i ri”, ku Jeton Zogjani e ka fituar vendin e parë, me punimin “The Efficiency and Impact of Banking Electronic Services: Evidence for Kosovo”, Venera Ratkoceri mori çmimin e dytë, me punimin “The effect of Remittances and Foreign Direct Investments in Economic Growth: Evidence from Albania”, ndërsa me vendin e tretë është shpërblyer Bedri Hasanaj me punimin “Karakteristikat e rritjes ekonomike të Kosovës në dekadën e fundit”.

Të ngjashme