“MEKA” ua kompenson vetë punëtorëve të tij subvencionin e qeverisë

Prishtinë | 31 Mar 2020 | 13:44 | Nga Ekonomia Online

Me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, qeveria në detyrë ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik nga përhapja e pandemisë së Coronavirusit në vend.

Sipas kësaj pakoje, mbështetje do të marrin edhe bizneset që kanë vështirësi financiare dhe të gjithë ata punëtorë që humbin vendet e punës nga kjo situatë emergjente.

Lidhur me këtë, pronari i kompanisë Meka, Burim Piraj ka vendosur që punëtorëve të tij t’ua kompensojë vetë subvencionin që ka planifikuar qeveria në këtë pako.

“Kam vendosur që këto para të cilat punëtorëve tanë iu takojnë nga kjo pako, t’i paguaj nga buxheti personal në shenjë solidariteti me vendin tonë në këtë situatë jo të favorshme”, ka shkruar Piraj në Facebook.

Ky është postimi i tij:

E përshëndes vendimin e qeverisë për miratimin “Pakos fiskale emergjente” mirëpo unë si drejtor i MEKA shpk (MEKA HALAL FOOD) edhe pse i kam 20 punëtorë në kategorinë e subvencionimit të pagave edhe pse punëtorët tanë e kanë pagën minimale 350 EURO e mesatarja diku afër 500 EURO, kam vendos që këto para të cilat punëtorëve tanë iu takojnë nga kjo pako, t’i paguaj nga buxheti personal në shenjë solidariteti me vendin tonë në këtë situatë jo të favorshme!

Këtë shumë pra ia dedikoj vendit tim që sado pak ta ketë më të lehtë kapërcimin e gjendjes së krijuar.

Vërtetë është pak për vendin, sepse ne duhet të bëjmë shumë më shumë, mirëpo çdo e keqe dhe çdo e mirë e ka një pikënisje, le të jetë pikënisja e të mirave kjo!

Vetëm së bashku ne mund të arrijmë ta ndërtojmë Kosovën e ëndrrave tona ashtu siç e kemi ëndërruar që nga fëmijëria kur kemi qenë nën sundim!

Zoti e bekoftë popullin tim!

Zoti e bekoftë Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë trojet shqiptare!

Të ngjashme