Miniera, fabrika, hotele e shtëpi, çfarë asetesh do t’i barten Fondit Sovran të shumëpërmendur nga Kurti

Prishtinë | 17 Maj 2022 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Më shumë se gjysma e aseteve që aktualisht janë në pronësi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit mund t’i kalojnë Fondit Sovran. Lista ende nuk është finalizuar, por nga AKP-ja kanë treguar llojin e aseteve që pritet të jenë tash e tutje në menaxhim të Fondit.

Miniera, ndërtesa administrative, lokale, toka, fabrika, pika të karburanteve, hotele e shtëpi pritet t’i kalojnë nën menaxhim Fondit Sovran.

Prej 2 mijë e 364 aseteve sa ka Agjencia Kosovare e Privatizimit, mbi 1 mijë e 600 prej tyre pritet t’i kalojnë këtij fondi.

Nga AKP-ja kanë folur për llojin e këtyre aseteve.

“AKP ka arritur që t’i evidentojë në një regjistër të përbashkët gjithsej 2364 asete të AKP-së, nga të cilat pas një analize të hollësishme e konkrete është vlerësuar se 84 asete me vlerë dhe 1549 toka në zona të ndryshme kadastrale me rreth 42 mijë hektarë tokë mund të konsiderohen se kanë potencial për t’u bartur në Fondin Sovran.

Bëhet fjalë për asete si miniera, ndërtesa administrative e lokale me apo pa toka, fabrika, hotele, ferma, depo të ndryshme me apo pa tokë, pika të karburanteve, qendra të ndryshme rehabilituese, shtëpi e zyre, toka bujqësore e kështu me rradhë”, thuhet në përgjigjet e AKP’së.

Por në këtë agjenci thonë se lista s’është finalizuar ende. Për këtë deklarojnë se po punojnë me Qeverinë e Kosovës. “Sidoqoftë, AKP dhe Qeveria janë duke i koordinuar veprimet në lidhje me finalizimin e listës së aseteve që mendohet të barten në Fondin Sovran”, kanë deklaruar nga kjo agjenci për “Express”.

Ndryshe, më 26 shkurt të këtij viti, është miratuar në parim Koncept Dokumenti për themelimin e Fondit Sovran.

Ky Koncept Dokument parasheh hapat që duhet të ndjek Qeveria e Republikës së Kosovës deri në themelimin e Fondit. Aty përcaktohen qëllimet, funksioni dhe mandati i Fondit Sovran, si dhe strategjia për bartjen e aseteve zhvillimore dhe strategjike nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në Fond.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se ky fond parashikon një transformim të thellë dhe strukturor të qeverisjes ekonomike në Kosovë.

“Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike. Fondi Sovran do t’i japë një jetë të re shumë aseteve që qëndrojnë të mbyllura apo nënshfrytëzuara në fondin e AKP-së, përmes riorganizimit, rihabilitimit dhe rivitalizimit të tyre në forma të reja të funksionalizimit komercial dhe financiar”, kishte deklaruar Kurti.

Kurti kishte thënë se interesim për të mbështetur projektin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës kanë shprehur Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, banka zhvillimoregjermane KfW dhe institucione si Friedrich Ebert Stiftung.

“Përveç interesimit nga këto palë, projekti i Fondit Sovran ka ngjallë edhe interesimin e vendeve fqinje, të cilat po e shohin në Fondin tonë një model të mundshëm për të imituar në vendet e tyre. Të gjitha këto dëshmojnë se suksesi ynë me këtë projekt, për themelimin e Fondit Sovran, na nxjerr nga bishti në ballë të trendeve regjionale e globale financiare dhe zhvillimore të shekullit XXI dhe hap një kaptinë të re historike në zhvillimin ekonomik të vendit tone”, kishte deklaruar Kurti./Gazeta Express

Të ngjashme