Ministri Hamza takon ambasadorin italian, paralajmëron një marrëveshje

Prishtinë | 13 Maj 2019 | 15:42 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë Piero Cristoforo Sardi, ku diskutuan për vazhdimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional.

Me këtë rast, Ministri Hamza e vlerësoi lartë kontributin e vazhdueshëm të shtetit të Italisë për Kosovën. Ai gjithashtu e njoftoi ambasadorin italian Piero Cristoforo Sardi për të arriturat e  Ministrisë së Financave sidomos në ruajtjen e qëndrueshmërisë makro fiskale,  si dhe për masat që janë marrë deri më tani  për krijimin e kushteve më të mira në të bërit biznes, me theks të veçantë për sektorin e prodhimtarisë.

Po ashtu Ministri Hamza e informoi Ambasadorin Sardi se shumë shpejt do ta nënshkruajmë Marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë mes dy  Qeverive tona, që do të jetë një mjet  ligjor sigurie për investitorët italian dhe kosovarë të investojnë në dy shtetet tona.

Ndërsa, ambasadori italian Piero Cristoforo Sardi e falënderoi Ministrin Hamza për bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe gatishmërinë e shtetit të tij për zgjerimin e bashkëpunimit me Kosovën, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë.

Të ngjashme