Ministri Krasniqi dhe kryetari i Ulqinit dakordohen për rritje të bashkëpunimit në fushën e turizmit

Prishtinë | 15 Qer 2020 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, priti në takim kryetarin e Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiç, ku kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Ministri Krasniqi theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është duke punuar që turizmin ta zhvillojmë edhe më shumë, që edhe qytetarët e rajonit të vijnë dhe ta vizitojnë Kosovën.

Ministri bëri të ditur se Kosova ka shumë potencial turistik malor, dhe sipas tij, bashkëpunimi Kosovë –Mali i Zi mund të sjell shumë rezultate.

“Ky takim nuk do të jetë i fundit, deri në konkretizimin e marrëveshjeve në fushën e turizmit. Bashkëpunime Kosovë dhe Mali i Zi ka pasur gjithmonë dhe ne do të mundohemi që këtë bashkëpunim ta shtrijmë në të gjitha fushat. Kosova ka shumë bukuri natyrore, dhe ka shumë vende që ja vlejnë të vizitohen, ndërsa ne nuk e kemi detin. Mirëpo mund të funksionojmë si dy vende, duke kombinuar turizmit”, tha ministri Krasniqi.

Ndërsa kryetari i Ulqinit, Loro Nrekiç tha qytetarët e Kosovës janë të familjarizuar me Ulqinit, sepse tradicionalisht e kanë vizituar dhe i kanë kaluar pushimet.

Ai tha se janë duke punuar që të krijojnë kushte sa më të mira duke shtuar edhe kujdesin për vizitorët për tu mbrojtur nga pandemia.

Në takim u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit ndër institucional, shkëmbimin e përvojave në fushën e turizmit dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare.

Të ngjashme