Ministri Lluka thirret të raportojë për krizën në PTK e Trepçë

Prishtinë | 17 Mar 2018 | 19:14 | Nga

Kriza në dy ndërmarrjet më të mëdha të shtetit nga java e ardhshme do të bëhet objekt shqyrtimi në Kuvendin e Kosovës. Ministri për Zhvillim Ekonomik, Valdrin Lluka, të hënën do të paraqitet para mbikëqyrësve parlamentar për të dhënë shpjegime se çka në të vërtetë është duke ndodhur në “Trepçë”, në Postë dhe në Telekomin e Kosovës, shkruan AktivPress.

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ia ka dërguar ftesën ministritë në kohën kur në të dyja ndërmarrjet u dhanë alarmet për thellimin e krizës financiare në mungesë të bordeve drejtuese dhe drejtorëve ekzekutivë.

Të dyja ndërmarrjet janë pa borde tash e një kohë të gjatë, ndërsa drejtorëve u kanë skaduar kontratat sivjet.

Ditë më parë, Ahmet Tmava paraqiti “dorëheqjen” nga pozita e drejtorit të Trepçës, ndonëse nuk kishte kontratë të vlefshme pune.

Ky veprim i Tmavës nxiti reagimin e ministrit Lluka. Ai ka tha se nuk mund të dorëhiqet dikush që nuk ka kontratë pune, mirëpo anashkaloi faktin se bashkë me të kishte udhëtuar për në Kanada për një vizitë pune, shkuan AktivPress.

Llukës iu desh të reagoi edhe një ditë më herët rreth zhvillimeve në PTK.

Pas një njoftimi që bëri Telekomi i Kosovës se kjo ndërmarrje publike do të udhëhiqet përkohësisht nga Nuredin Krasniqi, ai deklaroi se ky emërim nuk është i vlefshëm.

Pavarësisht se në komunikatën e lëshuar nga PTK ishte thënë se MZHE, më 16 mars kishte kërkuar që përgjegjësitë e Telekomit të Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme në raport me gjendjen e krijuar në ndërmarrje pas skadimit të kontratës së Agron Mustafës, një komunikatë e lëshuar nga MZHE e tha të kundërtën.

“Pretendimet për ‘njoftimin e dërguar nga ana e Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike për ndërmarrjen e hapave/veprimeve të nevojshme në raport me gjendjen e krijuar’ nuk është i vërtetë. Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk ka dërguar ose udhëzuar ndërmarrjen e asnjë veprimi”, u tha në njoftimin e MZHE-së.

Rrjedhimisht, sipas kësaj ministrie edhe lajmi për emërimin e Nuredin Krasniqit për U.D. të Kryeshefit Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Telekomi i Kosovës Sh.A. nga ana e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik është i pavërtetë.

“MZHE me kujdes është duke u angazhuar që të gjejë zgjidhje sa më të shpejt për sa i përket Telekomit të Kosovës Sh.A. Në këtë drejtim, brenda muajit Mars, pritet të emërohet Bordi i Drejtorëve i cili sipas dispozitave ligjore në fuqi do të procedoj tutje me zgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv të ndërmarrjes”, është thënë në njoftimin e ministrisë.

Të ngjashme