Ministria e Ekonomisë ndan 14.8 milionë euro për Trepçën dhe Telekomin

Prishtinë | 03 Jan 2022 | 11:45 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Ekonomisë ditën e fundit të vitit 2021 ka nënshkruar marrëveshjen për mbështetje financiare prej 14.8 milionë eurove për dy ndërmarrjet publike, Trepçën dhe Telekomin, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas një njoftimi në uebfaqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, Njësia për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike ka nënshkruar tri marrëveshje me Ndërmarrjen Publike “Trepça” Sh.A., dhe ka ndarë gjithsej 4.8 milionë euro si mbështetje financiare për këtë ndërmarrje, me qëllim të lehtësimit të obligimeve financiare, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masën 4.6, ku përcaktohet Mbështetja e Ndërmarrjeve Publike.

Në kuadër të së njëjtës masë të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, Njësia për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, ka nënshkruar marrëveshje edhe me Ndërmarrjen Publike të Telekomit të Kosovës, ku Telekomi përfiton mbështetje financiare prej 10 milionë eurove për të siguruar operim të vazhdueshëm të infrastrukturës kritike nacionale.

Gjithashtu, nga ministria thonë se duke u bazuar në rekomandimet e Komitetit Teknik për Masat e Emergjencës në Furnizimin e Energjisë, ministrja Artane Rizvanolli ka marrë vendim për masa emergjente për t’u përballur me krizën e energjisë.

Këto masa përfshijnë ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë teritorin e Republikës së Kosovës, ku të gjitha insititucionet relevante obligohen të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave dhe të ndalojnë aktivitetin në fjalë. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme