Ministria e Ekonomisë njofton se Programi Kompakt do të jetë në vlerë prej 234 milionë dollarëve dhe do të përfshijë dy projekte

Prishtinë | 23 Mar 2022 | 16:39 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Ekonomisë përmes një komunikate për media ka njoftuar se si bartëse e procesit të Zhvillimit të Kompaktit nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), projekti i paraparë nuk ka të bëjë me zhvillimin e gazsjellësit TAP.

“Qeveria e Kosovës sot miratoi nismën për negocimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit të Programit Kompakt mes Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Zhvillimore të Qeverisë së SHBA-ve – Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit. Programi Kompakt do të jetë në vlerë prej 234 milionë dollarëve dhe do të përfshijë dy projekte:

  1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet të lartë mbi 200 MWh)
  2. Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë.

Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë. Rezerva do të përdoret për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës elektrike si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe shpenzimit.

Bateritë po ashtu mund të përdoren për arbitrazh të energjisë, që do të thotë, për ruajtjen e energjisë në orët e hershme të mëngjesit kur shpenzimi është i ulët, dhe shfrytëzimit të saj kur konsumi është i lartë.

Tutje, bateritë do të mund të lidhen shumë lehtë me burime solare, të erës apo të ngjashme, gjë që do ta përshpejtojë kalimin e Kosovës në burime të ripërtërishme dhe të qëndrueshme të energjisë.

Projekt i dytë përfshinë dy aktivitete:

  1. Zhvillimi i fuqisë punëtore energjetike për të ardhmen, që synon të krijojë një program
    të studimit që do të zhvillojë aftësitë e individëve që do të punojnë në sektor të energjisë,
    kështu duke e mbështetur edhe investimin me MCC dhe
  2. Fuqia punëtore gjithëpërfshirëse në sektor të energjisë, do të synojë përfshirjen më të madhe të grave në sektor përmes disa nën-aktiviteteve siç janë; bursat për studime universitare në fushën e energjisë të dedikuara për gra, mbështetje e punëdhënësve në sektor për ambient më të përshtatshëm për gra, rritja dhe fuqizimi i rrjetit të grave në energji, rritja e ndërmarrësisë së grave dhe dhënia e çmimit për vendet më të mira të punës për gra.

Investimet e Programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe gjatë përfundimit të fazës zhvillimore dhe negociatat me partnerët tanë nga MCC, do të njoftojmë publikun për zhvillimet dhe detajet përfundimtarë të projektit”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme