Ministria e Infrastrukturës hap zyrë në Aeroport për monitorimin e shërbimeve ndaj udhëtarëve

Prishtinë | 03 Gus 2018 | 13:24 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, për dhënien e një zyre civile në hapësirën e aeroportit për monitorim për të drejtat e pasagjerëve, ku brenda saj do të vendosen zyrtarë të ministrisë se Infrastrukturës, raporton Ekonomia Online.

Ministri Lekaj tha se ndjehet mirë që ka pozitivitet në aeroport sa i përket partneritetit publiko-privat dhe që ka ngritje të udhëtimeve të pasagjerëve këtë vit, rreth 14.5% më shumë.

“Aeroporti i Prishtinës është një qendër e pasagjereve që e lidh botën dhe ne do ta përkrahim në çdo fushë. Ne kërkuam që me të vërtetë sado që janë të ngritura cilësia e shërbimeve, të kemi vëmendje tek pasagjerët, që të mos kemi vonesa dhe kjo hapësirë të ketë kujdes për të gjitha drejtat dhe të shqyrtojë ankesat, të udhëzojë pasagjerët që të shfrytëzojnë të drejtat e tyre”, tha Lekaj.

Ai falënderoi kryeshefin ekzekutiv të aeroportit për mundësinë dhe hapësirën që ka dhënë për shërbimet dhe ankesat ndaj pasagjerëve.

“Kemi arritur që të zvogëlojmë në mënyrë drastike mashtrimet që janë bërë nga agjencitë, do të jemi të vëmendshëm të përcjellim situatat, por ka pasur kërkesa për çmime të biletave dhe kjo është e drejtë e BE-së dhe është konkurrenca e lirë, ne nuk mundemi të ndikojmë në zbritjen e çmimeve të biletave, por do të mundohemi të kemi sa më shumë vija ajrore dhe kjo ndikon edhe në zbritjen e çmimit të biletave”, shtoi Lekaj.

Tutje, ai tha se është i interesuar të zhvillojë edhe aeroportin e Gjakovës, në mënyrë që të jetë i përdorshëm për pasagjerët në bashkëpunim me LIMAK-un, raporton EO.

Haldun Firat Kokturk, kryeshef ekzekutiv i Aeroportit, tha se prej se kanë filluar punën në terminalin e ri, udhëtarët kosovarë dhe ata ndërkombëtarë kanë qenë të kënaqur me shërbimet që u kanë ofruar.  Kjo zyrë, sipas tij, do ta bëjë më të lehtë zgjidhjen e ankesave të udhëtarëve.

“Ministria e Infrastrukturës është duke monitoruar nga afër kënaqshmërinë e udhëtarëve. Duke pasur parasysh monitorimin e afërt me kërkesë të ministrisë, ne do të ofrojmë hapësirë ku zyrtarëve të ministrisë u ofrohet hapësirë përmes kësaj zyre, prandaj udhëtarët do të kenë më të lehtë zgjidhjen e kërkesave të tyre”, tha Kokturk.

Ai shtoi se kjo zyrë do t’i ndihmojë pasagjerët të ankohen drejtpërdrejt për vështirësitë dhe ankesat e tyre që kanë gjatë udhëtimit dhe në hapësirën e aeroportit.

“Ankesat e udhëtarëve dhe kënaqshmëria e tyre janë të rëndësishme për në dhe ministria është e gatshme të monitorojë këtë dhe pasagjerët mund të ankohen drejtpërdrejtë në zyrën civile të ministrisë për ankesat e tyre”, tha Kokturk.

Të ngjashme