Ministria e Infrastrukturës po e shqyrton gjobën ndaj “Bechtel & Enka”-s

Prishtinë | 08 Jan 2019 | 09:50 | Nga Ekonomia Online

Veturat e qytetarëve të Kosovës as vitin e kaluar nuk arritën të qarkullojnë në autostradën “Arbën Xhaferi” siç ishte premtuar. Konsorziumi amerikano-turk “Bechtel & Enka” nuk i përfundoi punimet brenda afatit të përcaktuar kohor, më 31 dhjetor. Përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës e kanë gjetur vështirësimin e motit si arsyetim për zvarritjen e punimeve në këtë pjesë.

Ministria e Infrastrukturës nuk arriti të mbajë premtimin publik se më 31 dhjetor do të përfundojë ndërtimi i autostradës më të madhe në vend. Autostrada “Arbën Xhaferi” ende nuk është e gatshme për qarkullim të automjeteve. Për këtë në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se janë duke e shqyrtuar kontratën për të vepruar karshi kushteve që parashihen aty.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, i ka thënë gazetës “Zëri” se janë duke punuar me ekipin e Zyrës Ligjore për të parë nëse mund të shqiptohen ndëshkime ndaj “Bechtel & Enka”-s.

“Ne jemi duke shqyrtuar kontratën, të cilën e kemi me ‘Bechtel & Enka’-n dhe do të shohim mundësinë t’i përshtatemi kontratës si do të veprojmë. Nuk përjashtohet mundësia për ta gjobitur, por ne po punojmë me ekipin e Zyrës Ligjore që të shqyrtohet kontrata, se a do të mundë të shqiptojmë ndëshkime ndaj ‘Bechtel & Enka’-s ose jo. Për shkak të kushteve atmosferike ne nuk kemi mundur të përfundojmë punën të cilën e kemi pasur të kontraktuar”, është shprehur Kadriu.

Ndërtimi i autostradës duket se do të zvarritet edhe gjatë pasi zëvendësministri i dikasterit të Infrastrukturës thotë se duhet pritur deri në përmirësim të kushteve atmosferike.

“Kompania nuk ka kohë shtesë, por problemi është se për shkak të kushteve atmosferike duhet të presim edhe pak deri në përmirësim, sepse na ka mbetur vetëm ura për t’u asfaltuar, të gjitha kanë përfunduar. Gjithçka që është e paraparë në kontratë ne do ta implementojmë në përpikëri. Nëse ka gjoba do t’i aplikojmë, nëse nuk ka nuk mund të aplikojmë. Ne e kemi gjetur atë kontratë të kontraktuar në vitin 2014, ne nuk e kemi bërë atë kontratë. Ne punojmë konform kontratës dhe kushteve të kontratës. Ne do të marrim masat taman qysh duhet”, ka paralajmëruar në mes të tjerash zëvendësministri i Infrastrukturës.

Ndërkohë, ish-ministrat që kanë drejtuar këtë dikaster janë duke kërkuar me ngulm ndëshkimin e “Bechtel Enka”-s bashkë me përfaqësuesit e shoqërisë civile. Ish-ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku në një deklaratë dhënë gazetës “Zëri” ka kërkuar penalizmin e menjëhershëm të “Bechtel & Enka”-s.

“Qysh na kanë penalizuar ata duhet t’i penalizojmë edhe ne. Në të njëjtën mënyrë. Nuk janë kryer punët me afat. Moti nuk është arsye dhe është dashur të kryhen punët në përputhje me marrëveshjen. Nëse Qeveria nuk e gjobit ‘Bechtel’-in, atëherë vendimi është katastrofal”, ka kërkuar Zharku.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme