Ministrja Hajdari prezantoi mundësitë për investime në Kosovë në Forumin e Biznesit të “Expo 2020 Dubai”

Prishtinë | 18 Shk 2022 | 17:53 | Nga Ekonomia Online

Ceremonia qendrore për nder të ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, është paraprirë nga  forumi biznesit ku Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhillimit Rural, Faton Peci, përfaqësuesit e KIESA-s dhe Odes Ekonomike të Kosovës (OEK), para të pranishmeve kanë folur për klimën e investimeve dhe mundësitë e të bërit biznes në Kosovë.

Ministrja Hajdari duke ju drejtuar të pranishmeve në këtë forum, përfaqësuesve të institucioneve të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Odave Ekonomike dhe përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse në “Expo 2020 Dubai”,  ka promovuar klimën e përshtatshme biznesore, mundësitë e shkëlqyeshme që ofron Kosova për investimet e huaja, potencialet ekonomike, reformat në shërbim të qeverisjes se mirë, të rëndësishme në garantimin e suksesit të një investitori.

Në vazhdën e prezantimit, Ministrja Hajdari prezantoi përparësitë konkurruese që ka Kosova si destinacion investimi për afaristët e huaj, që përfshijnë: Euro valuta zyrtare, legjislacioni në pajtueshmëri me legjislacionin e BE-së, sistemi i thjeshtë dhe i favorshëm tatimor, sistemi bankar stabil, popullata e re si një forcë pune e mirë-arsimuar dhe shumë gjuhë folëse,  lokacioni gjeografik me infrastrukturë të zhvilluar rrugore, digjitale dhe qasje të afërt në portet detare, etj.

Ndërkaq një pasqyrë të detajuar lidhur me sektorët ekonomik, përfaqësuesi nga KIESA, Zef Dedaj, prezantoi para përfaqësuesve të biznesit për klimën e favorshme, avantazhet e investimit në Kosovë, mekanizmin e ekosistemit inovativ, sektorët kryesorë industrialë dhe marrëveshjet e tregtisë së lirë, që krijojnë mundësinë e investimeve në Kosovë.

Në lidhje me mundësitë e investimeve dhe përparësitë që ka Kosova në sektorin ekonomik ka folur edhe përfaqësuesja e OEK, Muela Ibrahimi, e cila po ashtu ka thënë se  janë të gatshëm të shërbejnë si urë lidhëse për bizneset e të dyja vendeve.

Së fundi, Emiratet e Bashkuara Arabe hapën rrugën e lidhjeve ekonomike në aspektin e bashkëpunimit ekonomik dhe u dakorduan në themelimin komitetit të përbashkët ekonomik për më shumë shkëmbime ekonomike krahas marrëdhënieve të mira politike.

Të ngjashme